Aksion i njësive elitë izraelite në Rripin e Gazës
14 Korrik 2014
Pesë ditë pas fillimit të ofensivës ushtarake izraelite kundër palestinezëve militantë, për herë të parë një njësi speciale sulmoi nga toka. Trupat elite zbarkuan natën duke gdhirë e diela në bregun e Rripit të Gazës dhe vepruan kundër qendrave të goditjes. Prej atje besohet se lëshohen raketa me rreze të gjatë veprimi kundër Izraelit. Synimi është që të pengohet shkrehja e raketave me rreze të gjatë veprimi, u bë e ditur nga pala izraelite.
Diplomacia vihet në lëvizje
Përballë ngjarjeve dramatike, diplomacia ndërkombëtare e krizës është vënë në lëvizje. Të dielën u mblodhën ministrat e jashtëm të Gjermanisë, SHBA, Britanisë së Madhe dhe Francës në kuadër të bisedimeve atomike në Vjenë, për të diskutuar mundësitë e një armëpushimi. Ministria e Jashtme veç kësaj konfirmoi që Steinmeieri do të udhëtojë të hënën dhe të martën në Lindjen e Mesme. Të dhëna të tjera, zëdhënësja nuk bëri të ditura.
Liga Arabe ka thirrur për të hënën një mbledhje urgjente në Kairo. Edhe Këshilli i Sigurimit të OKB-së do të mblidhet të hënën në një mbledhje tjetër të posaçme. 15 anëtarët e forumit më të lartë të OKB-së u shprehën shumë të shqetësuar për shkallëzimin e dhunës dhe patën kërkuar një armëpushim.
Më shumë se 160 të vrarë, gati 1100 të plagosur
Që prej fillimit të sulmeve masive izraelite nga ajri, në 8 korrik, numri i të vrarëve në Rripin e Gazës është rritur në 163 vetë. Veç kësaj janë plagosur gati 1100 vetë, bënë të ditur shërbimet lokale të shpëtimit. Në përgatitje të sulmeve edhe më të mëdha, ushtria e Izraelit u bëri thirrje banorëve të Rripit verior të Gazës dhe veçanërisht banorëve të qytetit Beit Lahia, me anë të fletëvolanteve, sms-ve dhe telefonatave automatike që të largohet nga zonat e banimit deri në mesditë.
Izraeli e pati nisur operacionin ushtarak natën duke gdhirë e marta, për të ndaluar goditjen e vazhdueshme me raketa nga palestinezët të rajoneve izraelite. Që atëherë, sipas të dhënave të saj ushtria ka bombarduar më shumë se 1300 objektiva në enklavën e Mesdheut, ndër to 200 pozicione në 24 orë. Edhe Rripi i Gazës u godit. Edhe atje thuhet se janë vrarë 18 vetë, midis tyre edhe komandanti i Policisë i Rripit të Gazës, Taisir al-Batsch.