1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE-ja pret formim të shpejtë të institucioneve të Kosovës

29 Dhjetor 2025

Përfaqësueset e BE-së Kaja Kallas dhe Marta Kos thanë se “qeveria e re e Kosovës duhet t’i dyfishojë përpjekjet e saj për reformat shumë të nevojshme që lidhen me BE-në”.

https://p.dw.com/p/566D0
Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas (majtas) dhe komisionerja për Zgjerim, Marta Kos (djathtas) duke folur
Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, dhe komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, thanë se “Qeveria e re e Kosovës duhet t’i dyfishojë përpjekjet e saj për reformat shumë të nevojshme që lidhen me BE-në”.Fotografi: Yves Herman/REUTERS

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, dhe komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, presin shumë shpejt që të formohen institucionet e reja të Kosovës dhe nënvizojnë nevojën e ratifikimit të marrëveshjeve nga Plani i Rritjes së BE-së, në mënyrë që Kosova të përfitojë nga ato mjete.

Në një deklaratë të përbashkët të Kaja Kallas dhe Marta Kos pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare që u mbajtën në Kosovë më 28.12, ato thonë se "Procesi zgjedhor dëshmoi një përkushtim të fuqishëm ndaj parimeve demokratike, pas një bllokade politike pas zgjedhjeve të shkurtit të vitit 2025”.

Pasues të Vetevendosjes duke festuar me flamur fitoren e Albin Kurtit
Kalla dhe Kos: "Procesi zgjedhor dëshmoi një përkushtim të fuqishëm ndaj parimeve demokratike, pas një bllokade politike pas zgjedhjeve të shkurtit të vitit 2025”.Fotografi: Florion Goga/REUTERS

"Presim tani një konstituim të shpejtë të parlamentit dhe formim të qeverisë dhe vazhdimin e angazhimit tonë me autoritetet Qeveria duhet t'i dyfishojë përpjekjet drejt reformave aq të nevojshme që lidhen me BE-në. BE-ja merr parasysh pjesëmarrjen aktive të të gjitha komuniteteve dhe partive të tyre politike në zgjedhje”, thuhet në letër.

BE vazhdon vëzhgimin edhe pas zgjedhjeve

Bashkimi Evropian kishte dërguar një mision vëzhgimi të zgjedhjeve në Kosovë dhe ky mision, sipas dy zyrtareve të larta të BE-së, Kallas dhe Kos, do të mbetet në Kosovë për ta ndjekur vazhdimin e procesit paszgjedhor.

"Presim nga Parlamenti që sapo të konstituohet t'i ratifikojë marrëveshjet nga Plani i Rritjes. Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një instrument i kufizuar kohor i miratuar për periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027 dhe është në interes të Kosovës që ratifikimi të ndodhë sa më parë që të jetë e mundur për t'i shfrytëzuar të gjitha mundësitë që jep ky plan në dobi të popullit të saj”, thuhet më tej në letër. Dy zyrtaret e larta të BE-së, Kallas dhe Kos, bëjnë të ditur se BE-ja tashmë ka nisur heqjen e masave ndaj Kosovës.

Aleksandar Vucic  dhe Albin Kurti gjatë një takimi
Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, dhe komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, u rikujtuan autoriteteve kosovare se procesi i dialogut me Serbinë është e vetmja rrugë drejt integrimeve evropiane.Fotografi: Boris Grdanoski/AP/picture alliance

"Asistenca financiare prej 216 milionë eurosh është liruar tashmë pas transferimit të qetë të pushtetit lokal pas zgjedhjeve të fundit. Ne po ashtu synojmë lirimin e 205 milionë eurosh tjera në pjesën e hershme të vitit të ardhshëm”, thuhet në deklaratë.

Dialogu me Serbinë e vetmja rrugë drejt integrimeve evropiane

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, dhe komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, u rikujtojnë autoriteteve kosovare detyrimet që dalin nga procesi i dialogut me Serbinë si e vetmja rrugë drejt integrimeve evropiane.

"Normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, proces i lehtësuar nga BE-ja, vazhdon të jetë e vetmja rrugë që të dyja palët të arrijnë progres në rrugëtimin evropian. Presim që të gjitha obligimet që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit, si dhe ato të mëhershme nga dialogu, të zbatohen pa vonesa të reja dhe pa parakushte. BE mbetet e gatshme të mirëpresë një takim të nivelit të lartë sapo të përmbushen kushtet”, thuhet në këtë deklaratë.

Bashkëpunimin me institucionet e reja që do të formohen pas zgjedhjeve të së dielës e premtoi edhe ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Rainer Rudolph, duke uruar Kosovën për organizimin e zgjedhjeve.

"Përgëzoj Kosovën për zgjedhjet e qeta dhe demokratike. Do të bashkëpunojmë me institucionet që do të formohen”, shkroi Rudolph në rrjetin social X.

Albin Kurti duke festuar fitoren rrethuar nga anëtarë të Vetevendosjes
Albin Kurti: "Sapo të certifikohen rezultatet përfundimtare, do të krijojmë institucionet dhe të vazhdojmë punën”. Fotografi: Valdrin Xhemaj/REUTERS

Kurti: Bashkëpunim me partitë opozitare për marrëveshjet ndërkombëtare

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, partia e të cilit i fitoi zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28.12 dhe i cili pritet të jetë kryeministër edhe për një mandat katërvjeçar, tha se "sapo të certifikohen rezultatet përfundimtare, do të krijojmë institucionet dhe të vazhdojmë punën”. Ndër punët e para ai përmendi marrëveshjet ndërkombëtare, për çka, siç tha, i duhet bashkëpunim me partitë opozitare.

"Na pret Plani i Rritjes i BE-së në vlerë 880 milionë euro dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë 120 milionë. Pra mbi 1 miliardë. Ftoj nga tash partitë opozitare për bashkëpunim në Kuvend për marrëveshjet ndërkombëtare, marrëveshjet e mira dhe për interesin publik të qytetarëve”, deklaroi Albin Kurti.