BE zbaton provizorisht marrëveshjen me Mercosurin
27 Shkurt 2026
Kryetarja e Komisionit Evropian , Ursula von der Leyen , njoftoi në Bruksel se marrëveshja me Mercosurin do të zbatohet së afërmi, edhe pse ende po pritet shqyrtimi nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë. Ajo tha se marrëveshja krijon një treg prej 720 milionë njerëzish dhe redukton tarifat doganore me miliarda.
Uruguaji dhe Argjentina ishin vendet e para që e ratifikuan marrëveshjen. Kjo i lejon kompanitë nga të dy vendet dhe BE të përfitojnë nga rregullat tregtare të dakorduara në marrëveshje. Eliminohen ndër të tjera tarifat doganore për shumicën e produkteve. Brazili, Paraguaji dhe Bolivia ende nuk e kanë dhënë miratimin.
Gjermania përshëndet lëvizjen, kritika nga Franca
Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul dhe Kancelari gjerman Friedrich Merz e përshëndetën vendimin e Komisionit Evropian, sipas zëdhënësve të tre. Kryetari i Komitetit për Tregti të Parlamentit Evropian, Bernd Lange, tha se kjo ishte një situatë e jashtëzakonshme, sepse deputetët evropianë mund të votojnë vetëm pas një vendimi të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë.
Presidenti francez Macron, nga ana e tij, foli për një "surprizë të keqe". Vendimi i Komisionit Evropian është shprehje e mungesës së respektit ndaj Parlamentit Evropian, tha Macron-i.
Ratifikimi formal mund të zgjasë shumë
Në janar, Parlamenti Evropian vendosi me një shumicë të ngushtë që Gjykata Evropiane e Drejtësisë ta rishikojë marrëveshjen. Votimi do të mbahet vetëm atëherë. Megjithatë, rishikimi nga gjykata mund të zgjasë deri në dy vjet.
Për këtë arsye, qeveria gjermane dhe qeveri të tjera evropiane qenë shprehur në favor të zbatimit të përkohshëm të marrëveshjes. Në Gjermani, do të përfitojnë veçanërisht nga marrëveshja tregtare industritë automobilistike dhe kimike.
Marrëveshja u negociua për më shumë se 25 vjet
Marrëveshja me Mercosurin u nënshkrua në fillim të vitit pas më shumë se 25 vjet negociatash. Brenda BE ka rezistencë, për shembull nga Polonia dhe Franca, veçanërisht në sektorin bujqësor. Për më tepër, kritikët e marrëveshjes argumentojnë se ajo do të minojë standardet e BE-së për mbrojtjen e konsumatorit, mjedisin dhe mirëqenien e kafshëve, diçka që Komisioni Evropian e refuzon kategorikisht.
aud (dlf, ag)