Belgjikë:Ndalohet nën akuzën për mashtrim Federica Mogherini
2 Dhjetor 2025
Federica Mogherini, ish-Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, njëkohësisht Drejtuese e Kolegjit të Europës, është ndaluar nga autoritetet belge gjatë një operacioni policor me disa të akuzuar për mashtrim.
Sipas mediave belge, Mogherini ishte nën hetim bashkë me dy zyrtarë të tjerë të Kolegjit të Europës, dhe mëngjesin e së martës (02.12.2025), policët mësynë në zyrat e Shërbimit të Jashtëm të BE-së (EEAS), në mjediset e Kolegjit të Europës në qytetin e Bryzhë dhe në disa rezidenca private.
Sipas të dhënave paraprake mësohet se bastisjet u bënë në kuadër të hetimit të Zyrës së Prokurorit Shtetëror Europian, ku në fokus ishte menaxhimi i fondeve nga zyrtarët e lartë të Unionit si dhe institucioni i Kolegjit të Europës, aty ku edukohen dhe trajnohen zyrtarët elitë të BE-së.
Shkelje në procedurat e tenderimit
Mediat belge, duke iu referuar burimeve të besueshme pranë organit të akuzës, thonë se të ndaluarit janë nën hetim për blerjen e godinës Spanjaardstraat në Bryzhë, në vlerën e 3.2 milionë eurove. Kjo godinë shërben si rezidencë për diplomatët që marrin pjesë në akademinë e Kolegjit të Europës. Nga të dhënat e deritanishme të hetimeve rezulton se ka pasur rrjedhje informacioni rreth tenderimit të kësaj godine, me qëllimin përfitimin e paligjshëm nga ana e të ndaluarve.
“Ka dyshime serioze se gjatë procedurës së tenderimit, është shkelur Neni 169 i Rregullores Financiare të BE-së, që parashikon garën e ndershme. Kjo garë dyshohet se nuk ka qenë e ndershme, pasi njërit prej kandidatëve pjesëmarrës në tender i është dhënë informacion konfidencial” – u tha në deklaratën për shtyp të shpërndarë nga zyra e prokurorit.
Karriera e Mogherinit
Nuk kanë kaluar shumë kohë që kur Federica Mogherini u rizgjodh për një tjetër mandat 5-vjeçar për drejtimin e Kolegjit të Europës, akademisë politike ku përgatiten liderët e së ardhmes të Bashkimit Europian.
Mogherini është politikane italiane dhe postin më të lartë në Union e ka mbajtur në periudhën 2014-2019, kur u emërua Përfaqësuese e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, njëkohësisht Zëvendëspresidente e Komisionit Europian.
Gjatë viteve të fundit, Bashkimi Europian ka qenë shpesh pjesë e hetimeve për mashtrim dhe korrupsion, në rastet si “Qatargate”, “Pfizergate” dhe financimet e dyshimta të organizatave jo-qeveritare.
afp/euroactiv