1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
TurizëmShqipëri

Blendi Gonxhja: Duhet të shkojmë nga sasia te cilësia

6 Mars 2026

Në Panarin e Turizmit në Berlin, ministri i Shqipërisë flet për sfidat e sektorit dhe strategjinë e qeverisë për zhvillimin e turizmit shqiptar.

https://p.dw.com/p/59otg
Artizanë shqiptarë me kostume tradicionale demonstrojnë punimin e qelesheve dhe muzikën me lahutë në stendën e Shqipërisë në ITB Berlin 2026.
Demonstrim i artizanatit tradicional shqiptar në stendën e Shqipërisë gjatë Panairit Ndërkombëtar të Turizmit ITB Berlin 2026. Artizanë të veshur me kostume tradicionale tregojnë procesin e punimit të qelesheve dhe instrumenteve tradicionale si lahuta, ndërsa vizitorët ndjekin nga afër prezantimin e kulturës dhe traditës shqiptare.Fotografi: DW

Deutsche Welle: Cili është fokusi i prezantimit të Shqipërisë në ITB?

Blendi Gonxhja: Theksi është te trashëgimia, eksperienca dhe tregimi i së shkuarës: parqet arkeologjike, qytetet historike, qytetet që i kemi në UNESCO, pasuritë muzeale, jeta, tradita dhe artizanati, turizmi i eventeve dhe kalendari shumë i pasur i Shqipërisë në kuptimin e kulturës, duke bashkuar turizëm, kulturë, rini e sport me evente ndërkombëtare që sjellin shumë vizitorë.

Turizmi ka pësuar rritje të menjëhershme vitet e fundit, a prisni të ketë rritje të mëtejshme këtë vit?

Ne duhet të shkojmë nga sasia te cilësia. Synimi nuk është më thjesht të rritemi në numra; synimi është rritja cilësore dhe sa më e shpërndarë. Numrat vijnë shpesh të përqendruar në pak muaj rreth sezonit veror. Ne duhet të bëjmë ç’është e mundur të lëvizim nga deti drejt zonave më të thella, drejt maleve, si dhe drejt muajve të tjerë të vitit – shtator, tetor, nëntor, dhjetor, janar, shkurt, mars – që janë muaj më të vështirë. Strukturat tona të akomodimit kanë nevojë të punojnë gjatë gjithë vitit.​​

Vizitorë me syze VR në stendën e Shqipërisë në ITB Berlin 2026 duke përjetuar një prezantim virtual të destinacioneve turistike shqiptare.
Guidë virtuale në Shqipëri: Stenda e Shqipërisë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit ITB Berlin 2026. Prezantimi digjital u mundëson vizitorëve të eksplorojnë në mënyrë virtuale destinacionet dhe peizazhet turistike të Shqipërisë. Fotografi: DW

Sipas të dhënave zyrtare, mbi një e pesta e ekonomisë shqiptare lidhet me turizmin. Keni përllogaritur se sa e ka rritur turizmi mirëqenien e qytetarëve?

Ne bëjmë shumë llogaritje dhe kemi shumë të dhëna që tregojnë se numrat realë janë shumë më të lartë dhe shumë premtues. Problemi ynë është se njëkohësisht duhet të luftojmë informalitetin dhe të fillojmë me deklarimin e gjithçkaje që bëjmë për ta bërë ekonominë sa më të formalizuar. Kjo garanton mbledhjen e të ardhurave të duhura dhe shpërndarjen e tyre për sektorët e tjerë të ekonomisë dhe për nevojat sociale që vendi ka. Rishpërndarja mbase nuk është ende aty ku duhet, sepse formalizimi është ende një betejë. Por jemi tashmë aty ku duhet dhe, me digjitalizimin e shërbimeve të fiskalizimit dhe faturimit, do të shkojmë drejt një zbardhjeje të plotë të xhiros vjetore, që do të sjellë përfitime shumë të mëdha për komunitetin.

Blendi Gonxhja, ministër i Turizmit gjatë një interviste në stendën e Shqipërisë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit ITB Berlin 2026
Blendi Gonxhja thotë në një intervistë me DW në ITB 2026 se projektet e reja turistikerespektojnë natyrën dhe mjedisin.Fotografi: DW

Ka kritika për betonizimin e bregdetit dhe mosruajtjen e standardeve mjedisore. Si përgjigjeni ju?

Në shumë prej projekteve më të fundit që janë miratuar ose kanë filluar të ndërtohen kemi komplekse të projektuara nga studio shumë të mira evropiane dhe botërore. Sot kemi një garë arkitektësh për projekte me standardet më të larta. Problemi ynë kryesor lidhet më shumë me trajtimin e mbetjeve dhe me sjelljen tonë ndaj mjedisit. Sa i takon standardeve të ndërtimit, sidomos në jug dhe nga Vlora e poshtë, projektet janë nga më të mrekullueshmet. Edhe projekti i ri i Sazanit është konceptuar me ndërhyrje minimaliste dhe me shumë kujdes për ishullin dhe natyrën.

Sa problem mbetet çështja e pronave për zhvillimin e turizmit?

Jetmir Molla nga Aria Travel Albania u shërben vizitorëve raki tradicionale shqiptare në stendën e Shqipërisë gjatë ITB Berlin 2026.
Jetmir Molla nga Aria Travel Albania është i mendimit se sfida më e madhe për turizmin shqiptar mbetet përmirësimi i cilësisë së shërbimit. Fotografi:

Është një problem real. Ka mbivendosje pronash dhe konflikte që vijnë nga fakti se në shumë raste dokumentet nuk janë bërë në kohë, ndërsa pronësia është trashëguar sipas zakonit. Procesi i kthimit dhe regjistrimit të pronave ka çaluar gjatë viteve të tranzicionit. Kjo ka ndikuar edhe në investimet e reja, në zhvillimin urban dhe infrastrukturor dhe turistik. Ky është një problem që ka qenë i lidhur edhe me drejtësinë. Një drejtësi e munguar në vite ka bërë që shumë problematika të pronës të transmetohen te qytetarët në nivele civile, në mosmarrëveshje, në vonesa.

Jeni optimist për zgjidhjen e këtyre problemeve?

Çdo shtëpi ka hallet e veta, çdo vend ka hallet e veta. Por mendoj se shumë nga këto probleme së shpejti do t’i përkasin të shkuarës, sepse janë regjistruar shumë zona. Proceset e regjistrimit dhe legalizimit janë drejt përmbylljes në shumë zona. Të dyja së bashku do të bëjnë që shumë shpejt shqiptarët të kenë të kapitalizuara, qoftë publike e qoftë private, pronat e tyre, pra pronat përkatëse, dhe këto do të ndihmojnë shumë në bizneset, zhvillimet dhe investimet.