1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Costa në Prishtinë: Reformat kyçe për integrimin në BE

3 Qershor 2026

Presidenti i Këshillit Europian, António Costa, tha në Prishtinë se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe funksionalizimi i institucioneve janë thelbësore për rrugën europiane të Kosovës.

https://p.dw.com/p/5EofW
Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa duke shtrënguar duart në takimin me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në Prishtinë
Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa u takua me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në PrishtinëFotografi: Press office of the Kosovo Prime Minister

Presidenti i Këshillit Europian, António Costa, tha në Prishtinë se Bashkimi Europian e mbështet Kosovën në rrugën e saj të familjes evropiane, por përsëriti se përparimi drejt integrimit europian varet nga zbatimi i reformave dhe funksionalizimi i institucioneve. António Costa, vizitoi Kosovën me 03.06.2026 në kuadër të turneut të tij në Ballkan dhe vetëm tri ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ku takoi krerët e institucioneve dhe udhëheqësit e partive politike opozitare.

"Partneriteti vjen me përgjegjësi”

"Kosova shkon në zgjedhje këtë fundjavë, dhe mesazhi im për krejt përfaqësuesit politikë me të cilët u takova sot është i thjeshtë. Partneriteti vjen me përgjegjësi. Bashkimi Europian mund ta mbështesë Kosovën, por nuk mund t'i kryejë detyrat në vend të saj”, tha António Costa duke shtuar se "Kosova ka nevojë për institucione të forta për t'i realizuar reformat dhe për t'i shfrytëzuar mundësitë që ofron BE-ja”. Sipas tij, "kushtetuta e Kosovës njeh të drejtat dhe vlerat kushtetuese të Europës, ku përfshihet bashkëjetesa, dialogu ndërpartiak dhe respekti për të gjitha komunitetet në diversitetin e tyre”, por, ritheksoi se "këto duhet të jenë edhe në praktikë”, sikundër që "bashkëpunimi rajonal është prioritet thelbësor për të siguruar përparimin ekonomik të rajonit”. Në këtë kuadër, dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, António Costa e cilësoi tejet të rëndësishëm për Kosovën dhe Serbinë.

"Dialogu Prishtinë-Beogradështë kritik në këtë drejtim për të dyja vendet. Më lejoni të nënvizoj se normalizimi është thelbësor për të ardhmen evropiane si të Kosovës, ashtu edhe të Serbisë. Ka pasur përparim të rëndësishëm së fundmi dhe duhet të sigurohemi se kemi zbatim të plotë të Marrëveshjes së Ohrit”, tha Presidenti i Këshillit Europian. Kosova është i vetmi vend në Ballkan që akoma nuk e ka statusin e vendit kandidat, ndonëse Kosova ka aplikuar tre vjet më parë për këtë status. Sipas Presidentit të Këshillit Europian, e rëndësishme është që Kosova t'i japë rezultatet e saj në reformat e zotuara.

BE mbi 3.7 miliardë euro financime në Kosovë

"Besimi im është se në fund të procesit nuk do të kemi asnjë problem nga ana e BE-së, por ajo që na duhet është konsensus i madh kombëtar në lidhje me anëtarësimin në BE dhe kjo mund të përkthehet në veprime konkrete”, tha Costa. Presidenti i Këshillit Europian, u rikujtoi autoriteteve të Kosovës, se Bashkimi Europian, që nga viti 1999 ka qenë partneri më i madh i Kosovës, duke financuar mbi 3.7 miliardë euro, në arsim, infrastrukturë, biznese, sundim të ligjit dhe të drejta të njeriut.

Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa duke shtrënguar duart në takimin me presidenten në detyrë të Kosovës Albulena Haxhiu.
Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa u takua në Prishtinë me presidenten në detyrë të Kosovës Albulena Haxhiu.Fotografi: Press office of the Kosovo presidency

Presidentja në detyrë e Kosovës, Albulena Haxhiu dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, nga ana e tyre në takime të ndara i kërkuan zyrtarit të lartë evropian, avancim të procesit të integrimit, ku u theksua rëndësia e zbatimit të reformave që lidhen me Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor. "Kosova ka shënuar progres të rëndësishëm në reforma, demokraci dhe ekonomi, me përmirësime në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, lirinë e mediave dhe demokracinë zgjedhore e liberale, si dhe me rritje ekonomike të qëndrueshme, ndër më të shpejtat në rajon”, thuhet në një komunikatë për media të kryeministrit në detyrë Kurti. Sipas tij, "Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së, ka dënuar luftën agresive të Federatës Ruse ndaj Ukrainës në termat më të ashpër dhe i është bashkuar të gjitha sanksioneve të BE-së kundër Rusisë”.

Vizita në Prishtinë e Presidentit të Këshillit Europian António Costa, është pjesë e një turneu të tij rajonal që nisi më 1 qershor në Sarajevë, për të vazhduar në Tiranë dhe Shkup dhe më 4 qershor në Beograd. Më 5 qershor ndërkaq, Costa do të marrë pjesë në Samitin BE–Ballkani Perëndimor që mbahet në Tivat të Malit të Zi. Gjatë këtij samiti, António Costa do të takohet me liderët e vendeve të rajonit së bashku me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Sipas Costa-s, samiti në Tivat të Malit të Zi, do të dëshmojë përkushtimin e përbashkët për integrimin evropian të të gjithë rajonit.