Bruksel:Sorensen takon kryenegociatorët e Kosovë dhe Serbisë
13 Maj 2026
Çështja e dialogut Kosovë-Serbi rikthehet sërish në agjendën e Bashkimit Evropian, me synimin për t'i ulur palët në një tavolinë, megjithëse Kosova vazhdon me cikle zgjedhore të njëpasnjëshme dhe me jostabilitet politik dhe institucional. I ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, zhvilloi takime të ndara në Bruksel më 13.05, me kryenegociatorin e Kosovës, Agron Bajrami, dhe me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq.
Sorensen: Plan pune për muajt e ardhshëm
Sorensen tha se në takime "është paraqitur plani i punës mbi normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë për muajt e ardhshëm”, duke mos shpalosur detaje.
"Kam zhvilluar takime të ndara dhe të detajuara me të dy kryenegociatorët në Bruksel këtë javë për të paraqitur planin tonë të punës mbi normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për muajt e ardhshëm”, shkroi Sorensen në platformën X. Kryenegociatori i Kosovës, Agron Bajrami, nga ana e tij, tha se progresi në dialog varet nga llogaridhënia e Serbisë për Banjskën e vitit 2023.
"Progresi i mëtejshëm në proces do të varet shumë edhe nga llogaridhënia për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, që përfshin dorëzimin e udhëheqësit të këtij sulmi, Milan Radojiqit, dhe grupit të tij, për t'u përballur me drejtësinë në Kosovë”, citon në një komunikatë Ministria e Jashtme e Kosovës, kryenegociatorin Bajrami. Sipas tij, "Kosova është e vendosur në qëndrimin e saj se procesi i dialogut duhet të përmbyllet sa më shpejt që të jetë e mundur, përmes njohjes reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, si e vetmja mënyrë për t'i hapur rrugën integrimit të plotë të Kosovës dhe të gjithë rajonit në Bashkimin Evropian.
"Kosova mbetet e përkushtuar dhe konstruktive në këtë proces, duke kërkuar që të shtohen presionet ndaj palës tjetër për të përmbushur obligimet që ka marrë gjatë viteve në dialog. Këto detyrime përfshijnë integrimin e Republikës së Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës, NATO dhe OKB”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës. Më tej thuhet se "Kosova insiston në zbatimin e plotë dhe joselektiv të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit implementues të Ohrit”, që përfshin obligimin e Serbisë për të respektuar integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe sovranitetin e institucioneve të saj në të gjithë territorin e Kosovës. Pala serbe nuk është deklaruar për takimin e së mërkurës(13.05.2026) në Bruksel me të ngarkuarin e BE-së, Sorensen, por të hënën e kësaj jave, ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, u rikujtoi autoriteteve kosovare që "Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë nuk është formuar ende, edhe pse ishte një detyrim i nënshkruar në Bruksel”.
Një ditë më parë me emisarin e BE-së u takua edhe shefi i diplomacisë kosovare, Glauk Konjufca, i cili tha se diskutimet në takim janë fokusuar në "avancimin e procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, duke siguruar se "Kosova mbetet plotësisht e përkushtuar dhe e angazhuar në mënyrë konstruktive në këtë proces, me synimin e qartë për ta përmbyllur atë përmes njohjes reciproke”. Në fillim të kësaj jave, shefja e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas, konfirmoi se ciklet e shpeshta zgjedhore në Kosovë janë arsyeja kryesore përse, prej kohësh, nuk ka pasur një raund të ri dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në nivel liderësh politikë, ndonëse shtoi se nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ashtu edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka gatishmëri për një takim në kuadër të dialogut.
Kallas: Po punojmë për mundësimin e zbatimit të marrëveshjeve në fuqi
"Ne, në fakt, kishim planifikuar dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dialog politik në nivel të lartë. Kishim pëlqimin e të dy liderëve, nga Kosova dhe nga Serbia, por tani po afrohen sërish zgjedhjet në Kosovë, gjë që natyrisht e shtyn procesin”, tha Kallas. Ajo tha se megjithatë, "po punoj veç e veç me të dyja palët që të mund të vazhdojmë me zbatimin e marrëveshjeve që tashmë janë në fuqi”.
Udhëheqësit politikë të Kosovës dhe Serbisë për herë të fundit, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, janë takuar në shtator të vitit 2023.