Gjermani: Gjashtë të vrarë në Shtade
29 Qershor 2026
Të shtënat vdekjeprurëse në Shtade, në Saksoninë e Poshtme, dyshohet se kanë pasur një sfond familjar. Këtë e bëri të ditur policia në mbrëmje. Autori i dyshuar i të shtënave kishte mosmarrëveshje lidhur me kujdestarinë për fëmijën; fëmija i tij dhe nëna e fëmijës jetonin në strehimoren ku ndodhi krimi.
Sipas policisë nga sulmi që ndodhi në mesditë humbën jetën gjashtë vetë. Ata punonin në institucionin në fjalë, që ofron banim dhe kujdestari të plotë ose të pjesshëm për nëna të reja me fëmijët e tyre. Viktimat ishin katër gra dhe dy burra.
Autori i dyshuar nga rajoni i Hanoverit
I dyshuari, i cili u arrestua, është shtetas gjerman, 45-vjeç, me prejardhje turke. Ai banon në rajonin e Hanoverit. Pas krimit 45-vjeçari u përpoq të arratisej me makinë së bashku me një grua, por u ndalua nga policia. Ende nuk dihet se si ai kishte arritur të siguronte armën e krimit.
Në një konferencë për shtyp ministrja e Brendshme e landit të Saksonisë së Poshtme, Daniela Behrens, e cilësoi ngjarjen si një akt "të kryer me gjakftohtësi”.