1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjykata Kushtetuese lë në fuqi pezullimin e Belinda Ballukut

6 Shkurt 2026

Pas një mbledhjeje maratonë që zgjati afro 10 orë, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vendosi të lërë në fuqi masën e pezullimit nga detyra për Belinda Ballukun.

https://p.dw.com/p/58Gev
Albanien Tirana 2025 | Belinda Balluku beim Besuch der SPAK
Fotografi: Rashela Shehu/DW

Sapo vendimi të hyjë në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare, Belinda Balluku nuk do të ushtrojë më funksionet e saj publike si zëvendëskryeministre dhe ministre. Vendimi u mor pasi tetë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese i ndanë votat në mënyrë të barabartë, katër me katër, në shqyrtimin e kërkesës së paraqitur nga kryeministri, Edi Rama, për heqjen e masës së pezullimit nga detyra, të vendosur nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

Për shkak se nuk u arrit shumica e kërkuar prej pesë votash, sipas parashikimeve kushtetuese, kërkesa e qeverisë nuk u pranua dhe vendimi i GJKKO-së mbetet në fuqi.

Vendimmarrja u nda mes dy qëndrimeve

Qeveria e kishte kundërshtuar pezullimin e Ballukut, me argumentin se masa cenon kompetencat e pushtetit ekzekutiv dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave.

Katër gjyqtarë kushtetues e mbështetën qëndrimin e qeverisë, duke argumentuar se masa e pezullimit, "për nga shkalla dhe intensiteti i saj, prek funksionin kushtetues politik të ministrit” dhe se për këtë arsye kërkohet autorizim paraprak nga Kuvendi. Katër gjyqtarët e tjerë e cilësuan të ligjshëm vendimin e GJKKO-së, duke argumentuar se Kushtetuta nuk e ndalon një masë të tillë dhe se ajo nuk cenon kompetencat e qeverisë apo të parlamentit. "Sistemi qeverisës bazohet në parimin e shtetit të së drejtës, sipas të cilit edhe ministrat i nënshtrohen ligjit dhe mund të mbahen ligjërisht përgjegjës nëse e shkelin atë” – thuhet në njoftimin zyrtar të Gjykatës.

Pamje nga mbledhja e komisionit të mandateve në parlamentin shqiptar
Komisioni i mandateve duke diskutuar për heqjen e imunitetit të Belinda BallukutFotografi: Albanian Parliament

Gjykata thekson gjithashtu se Kushtetuta bazohet në ndarjen e pushteteve dhe se çdo ndryshim i garancive për ministrat është çështje që i takon Kuvendit.

Akuzat e SPAK për Ballukun

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, u mor zyrtarisht e pandehur nga SPAKmë 31 tetor 2025, nën akuzën për shkelje të barazisë në tendera. Hetimi ka në qendër procedurën për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, një projekt prej rreth 190 milionë eurosh.

Vetë Balluku i ka cilësuar akuzat dhe komentet publike ndaj saj si të pabazuara dhe ka deklaruar se nuk do të prononcohet mbi çështjen nën hetim "derisa e vërteta të marrë formë të prerë, cilado qoftë ajo”.

Ajo është pjesë e qeverisë "Rama” që prej vitit 2019, duke drejtuar për më shumë se pesë vjet një nga portofolët më të mëdhenj të kabinetit.

Një grua me flokë të gjata (Rashela Shehu) duke buzëqeshur në kamera
Rashela Shehu korrespondente nga Tirana