Kirsty Coventry - gruaja e parë në krye të IOC
21 Mars 2025
Kirsty Coventry është jo vetëm gruaja e parë, por edhe përfaqësuesja e parë e një vendi afrikan në krye të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) në historinë e tij 136-vjeçare. Ajo fitoi ndaj gjashtë konkurrentëve. Si favoritë kryesorë konsideroheshin shefi i Federatës Botërore të Atletikës, britaniku Sebastian Coe (68), spanjolli Juan Antonio Samaranch Jr. (65), djali i një nga ish-presidentët e IOC. Çuditërisht Coventry u konfirmua si presidente që pas raundit të parë të votimit.
Ministrja e Sportit e Zimbabves ishte kandidatja preferuar e presidentit aktual Thomas Bach dhe ajo pritet të vazhdojë në një masë të madhe politikën e tij sportive.
Dy medalje ari
Kirsty Coventry ka fituar dy medalje të arta në not në Lojërat Olimpike. Në vitin 2013 ajo iu bashkua IOC-së si përfaqësuese e atletëve, dhe në vitin 2018 iu bashkua edhe Komitetit Ekzekutiv, ku nën drejtimin e presidentit aktual Thomas Bach u morën disa vendime kryesore.
Qëndrimi ndaj Rusisë?
Presidenten e re e presin sfida të mëdha: përveç skepticizmit të shumë njerëzve ndaj IOC-së dhe mënyrës se si zhvillohen Lojërat Olimpike, qëndrimi ndaj Rusisë nën drejtimin e Vladimir Putinit mbetet një çështje e ndjeshme dhe e vazhdueshme. Ndikimi i ndryshimeve të klimës mbi botën e sportit, mundësitë dhe rreziqet e inteligjencës artificiale dhe kërkimi i burimeve të reja të financimit do të jenë gjithashtu tema shqetësuese për IOC.