1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëLindja e Mesme

Konflikti SHBA-Iran: Bisedimet pritet të vazhdojnë

29 Qershor 2026

Gati dy javë pas nënshkrimit të një marrëveshjeje kornizë, konflikti mes SHBA-së dhe Iranit u përshkallëzua sërish. Por pavarësisht shkëmbimeve të sulmeve nga të dyja palët, bisedimet e paqes, thuhet se do të vazhdojnë.

https://p.dw.com/p/5GDi3
Sulme amerikane ndaj objektivave iraniane
SHBA i sheh sulmet si kundërpërgjigje ndaj sulmit iranian kundër lundrimit detar Fotografi: U.S. Central Command/Handout/REUTERS

Konflikti mes SHBA-së dhe Iranit u përshkallëzua së fundmi sërish përmes sulmeve të ndërsjella. Pas sulmeve ajrore të SHBA-së ndaj objektivave në bregdetin jugor të Iranit, Garda Revolucionare iraniane hodhi raketa dhe dronë ndaj bazave ushtarake amerikane në Kuvajt dhe Bahrein.

Garda Revolucionare iraniane njoftoi se marina dhe forcat ajrore, në një operacion me raketa dhe dronë, kanë shkatërruar tetë objekte infrastrukturore të ushtrisë amerikane. Bëhet fjalë për objektiva në bazën ajrore amerikane Ali Al‑Salem në Kuvajt dhe në flotën e 5-të të marinës amerikane në Mina Salman në Bahrein.

Bahreini konfirmoi një sulm iranian me dronë dhe raketa. Ministria e Jashtme e quajti atë një "përshkallëzim të rrezikshëm”. Ushtria kuvajtiane kishte njoftuar gjatë natës se mbrojtja ajrore po u kundërvihet sulmeve armiqësore me raketa dhe dronë.

Gjatë natës në të gdhirë të së dielës, forcat e armatosura amerikane kaluan në valën e dytë të sulmeve kundër Iranit që nga nënshkrimi i marrëveshjes kornizë. Sipas komandës rajonale Centcom, janë goditur disa objektiva – mes tyre pozicione të mbrojtjes ajrore, depo dronësh dhe infrastrukturë vëzhgimi.

Deti Arabik 2026 | Avion luftarak amerikan F/A-18E Super Hornet starton nga aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln
Irani dhe SHBA-ja akuzuan njëri-tjetrin për shkeljen e armëpushimit të përkohshëm. Fotografi: Us Navy/U.S. Navy/Planet Pix/ZUMA/picture alliance

SHBA: Sulmet si kundërpërgjigje ndaj sulmit të një anijeje cisternë

Irani dhe SHBA-ja akuzuan njëra-tjetrën për shkeljen e armëpushimit të përkohshëm. Komanda Qendrore amerikane, përgjegjëse për rajonin, njoftoi se sulmet e saj janë një reagim i drejtpërdrejtë ndaj agresionit të vazhdueshëm iranian kundër lundrimit tregtar.

Të shtunën, një anije cisternë që lundronte nën flamurin e Panamasë u sulmua nga një dron iranian në Ngushticën e Hormuzit. Sulmet e SHBA-së kishin në shënjestër objekte iraniane për mbikëqyrje ushtarake, komunikim, mbrojtje ajrore, si dhe depo për dronë dhe instalime për vendosjen e minave.

Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi në platformën e tij në rrjetet sociale se SHBA mund të detyrohej ta përfundonte ndërhyrjen ushtarakisht. "Nëse kjo ndodh, Republika Islamike e Iranit nuk do të ekzistojë më!”, shkroi ai.

Donald Trump duke treguar me gisht
Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi në platformën e tij në rrjetet sociale se SHBA mund të detyrohej ta përfundonte ndërhyrjen ushtarakisht.Fotografi: Evan Vucci/REUTERS

Qeveria në Teheran deklaroi se sulmet amerikane shkelnin marrëveshjen për përfundimin e luftës, të nisur katër muaj më parë me sulmet e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit. Garda Revolucionare tha se sulmet amerikane do të çojnë në një ndërprerje të plotë të të gjitha proceseve diplomatike. Bazat amerikane në rajon "do të përjetojnë ferrin në ditët në vijim”.

Nga Uashingtoni u tha se nuk ka anulime. Sipas disa mediave, duke iu referuar përfaqësuesve qeveritarë, bisedimet pritet të vazhdojnë të martën në kryeqytetin e Katarit, Doha.

 

AG