1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: A do të arrijë Kurti të krijojë qeverinë e re?

26 Tetor 2025

Albin Kurti paraqet sot para deputetëve përbërjen e kabinetit qeveritar. Kurti nuk ka njoftuar nëse ka siguruar shumicën e nevojshme. Partitë e deritashme opozitare nuk pranojnë koalicion me Kurtin.

https://p.dw.com/p/52afl
Albin Kurti në konferencë shtypi
Albin Kurti do të paraqesë sot para deputetëve përbërjen e kabinetit qeveritar.Fotografi: Erkin Keci/Anadolu/picture alliance

Tetë muaj pas zgjedhjeve i mandatuari për krijimin e qeverisë së re të Kosovës, Albin Kurti, do të provojë sot (26.10.) të arrijë në një seancë parlamentare një shumicë për të krijuar qeverinë e re. Megjithë insistimin e gazetarëve kryeministri në detyrë nuk pranoi të thotë, nëse ka arritur marrëveshje për koalicion me ndonjë nga subjektet politike parlamentare. 

Mundësitë për koalicion

Lëvizja Vetëvendosje, e cila udhëhiqet nga Albin Kurti, arriti të fitojë në zgjedhjet e fundit parlamentare vetëm 48 deputetë, por atij i duhen edhe të paktën 11 vota për të bërë një shumicë të thjeshtë prej 61 votash, nga 120 vende sa i ka parlamenti i Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje e ka përjashtuar mundësinë e bisedimeve me subjektin e dytë për nga fuqia e votës, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) që ka 24 deputë, ndërsa e ka lënë të hapur mundësinë për bashkëpunim me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) që ka 20 deputë dhe me Nismën Socialdemokrate, e cila ka vetëm tre deputetë.

Parlamenti i Kosovës
Tri partitë më të mëdha parlamentare, PDK, LDK dhe AAK kanë deklaruar disa herë se nuk hyjnë në koalicion me Vetëvendosjen e Kurtit. Fotografi: Valdrin Xhemaj/REUTERS

Tri partitë më të mëdha parlamentare, të cilat deri tani ishin në opozitë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë deklaruar tashmë disa herë se nuk hyjnë në koalicion me Vetëvendosjen e Kurtit. Ky i fundit nuk pranon të bëjë koalicion me Listën Serbe, që ka nëntë deputetë, ndërsa të siguruara ka votat e disa deputetëve të pakicave joserbe, të cilët po ashtu kanë vetëm 10 vende në parlament.

Krizë e re institucionale?

Nëse të dielën nuk arrihet të krijohet qeveria e re e Kosovës, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe muajve të tërë përpjekjesh për të formuar institucionet e reja, Kosova mund të përballet me një krizë të re institucionale.

Albin Kurti dhe ministrja e Jashtme e Britanisë së Madhe, Yvette Cooper
Në fillim të kësaj jave, gjatë një vizite në Londër, Albin Kurti la të kuptohej se mund të mos jetë në gjendje ta formojë qeverinë e re.Fotografi: Zoe Katzayiannaki/DW

Në fillim të kësaj jave, gjatë një vizite në Londër, Albin Kurti la të kuptohej se mund të mos jetë në gjendje ta formojë qeverinë e re dhe tha se "zgjidhje alternative është edhe zhvillimi i zgjedhjeve të reja parlamentare”.

Mundësia e një mandatari tjetër

Megjithatë Kushtetuta e Kosovës përcakton që, nëse përbërja e propozuar e qeverisë së re nuk e merr shumicën e nevojshme të deputetëve, presidentja e Kosovës duhet të emërojë një mandatar të dytë për të krijuar qeverinë brenda dhjetë ditësh. Presidentja Vjosa Osmani këtë e tha edhe në njëintervistë për DW.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në intervistë me DW
Vjosa Osmani: Në qoftë se s’ka marrëveshje për qeverinë, atëherë, si presidente e vendit, do t’i ftoj të gjitha partitë politike për të parë, nëse ka mundësi që dikush ta krijojë shumicën.Fotografi: Martyna Masztalerz/DW

"Në qoftë se s'ka marrëveshje, atëherë, si presidente e vendit, do t'i ftoj të gjitha partitë politike për të parë, nëse ka mundësi që dikush ta krijojë shumicën, sepse mendoj që është përsëri herët të flasim për zgjedhjet e jashtëzakonshme, por ajo është një alternativë në qoftë se nuk krijohet shumica”, tha Presidentja Osmani.

I mandatuari i dytë për kryeministër, kushdo që të jetë, sërish do t'i kishte 15 ditë për t'i propozuar Kuvendit përbërjen e qeverisë. E nëse as herën e dytë i mandatuari nuk arrin të sigurojë shumicë parlamentare, atëherë presidentja e Kosovës është e detyruar të shpallë zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e shpalljes.

Krizë institucionale disamujorëshe

Që nga data 9 shkurt e këtij viti, kur u mbajtën zgjedhjet e rregullta parlamentare, Kosova hyri në krizë institucionale duke mos arritur që për muaj të tërë të konstituojë Kuvendin e Kosovës dhe as të krijojë qeverinë.

Kuvendi u konstituua javë më parë, pa nënkryetarin e Listës Serbe — parti kjo që e konteston zgjedhjen nënkryetar të një deputeti të vetëm serb jashtë kësaj partie, Nenad Rashiq. Lënda kundërshtuese e Listës Serbe tashmë është dërguarnë Gjykatën Kushtetuese, ndërsa kjo e fundit ka deklaruar se është duke e shqyrtuar lëndën e Srpska-s.