1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Zgjedhje për balotazh në 18 komuna

9 Nëntor 2025

Balotazhi i 9 nëntorit në 18 komuna të Kosovës shihet si test i fuqisë së partive në nivel lokal dhe tregues i dinamikave të ardhshme në nivel qendror.

https://p.dw.com/p/53L3b
Qendër votimi në Kosovë
Balotazhi i 9 nëntorit në 18 komuna të Kosovës shihet si test i fuqisë së partive në nivel lokal.Fotografi: Bekim Shehu/DW

Në 18 komuna, ndër to komunat më të mëdha të Kosovës, qytetarët po votojnë për zgjedhjen e kryetarëve të tyre, pasi në zgjedhjet lokale të 12 tetorit nuk arritën të sigurojnë numrin e mjaftueshëm të votave mbi 50%. Mbi 1 milion qytetarë kanë të drejtë vote.

Zgjedhje balotazhipo zhvillohen në Prishtinë, Prizren, Pejë, Junik, Dragash, Gjakovë, Kaçanik, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Rahovec, Suharekë, Gjilan, Viti, Vushtrri, Obiliq, Klinë, Mamushë dhe Kllokot. Në rundin e parë të zgjedhjeve lokale, më 12 tetor, kryetarë të rinj u zgjodhën në njëzet komuna.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti duke folur me krahë hapur.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i quajti zgjedhjet e balotazhit si një "ditë e mirë për demokracinë dhe vullnetin e lirë”.Fotografi: Valdrin Xhemaj/REUTERS

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i quajti zgjedhjet e balotazhit si një "ditë e mirë për demokracinë dhe vullnetin e lirë”.

"U bëj thirrje gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të shfrytëzojnë rastin dhe të bëhen pjesëmarrës e vendimmarrës për kryetarët e komunave dhe kësisoj për katërvjeçarin në vijim për ata, si banorë të komunave të Republikës”, tha Kurti.

Prokuroria në gatishmëri

Qendrat e votimit do të jenë të hapura deri në orën 19:00. Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njoftoi se ka angazhuar rreth 80 prokurorë dhe staf mbështetës të sistemit prokurorial për mbarëvajtjen e procesit të votimit. Ata do të qëndrojnë si kujdestarë në gjithë territorin e Kosovës deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në këto zgjedhje balotazhi, njoftoi zyra e Kryeprokurorit.

Qytetarë duke votuar në Kosovë
Zgjedhje balotazhi po zhvillohen në Prishtinë, Prizren, Pejë, Junik, Dragash, Gjakovë, Kaçanik, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Rahovec, Suharekë, Gjilan, Viti, Vushtrri, Obiliq, Klinë, Mamushë dhe Kllokot.Fotografi: Bekim Shehu/DW

"Prokurorët janë duke qëndruar në zyrat e tyre në qytetet ku ekzistojnë prokuroritë themelore, ndërsa në ato vende ku prokuroria nuk ka objekt, prokurorët do të qëndrojnë në stacione policore, ku në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës do të jenë në mbrojtje të votës së lirë të qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Test për partitë në nivel lokal

Zgjedhjet e balotazhit në 18 komuna të Kosovës shihen edhe si njëtest i partive në nivel lokal dhe tregues i dinamikave të ardhshme politike të nivelit qendror qeverisës. Prishtina, Prizreni dhe Mitrovica e Jugut vlerësohen si garat më të forta, ku përplasjet mes Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës mund të riformësojnë hartën politike lokale.