1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Konflikte

Kryeministri i Katarit: Jo "standarde të dyfishta"

15 Shtator 2025

Kryeministri i Katarit i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare të mos ndjekë “standarde të dyfishta” dhe të ndëshkojë Izraelin.

https://p.dw.com/p/50Sup
Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohamed bin Abdulrahman Al Thani duke folur në një konferencë shtypi
Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohamed bin Abdulrahman Al Thani: "Ka ardhur koha që bashkësia ndërkombëtare të ndalojë përdorimin e standardeve të dyfishta dhe ta ndëshkojë Izraelin për të gjitha krimet që ka kryer"Fotografi: Qatari Foreign Ministry/UPI Photo/Newscom/picture alliance

Kryeministri i Katarit i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare të heqë dorë nga "standardet e dyfishta" dhe ta dënojë Izraelin për të gjitha krimet që ka bërë. Në Katar zhvillohet një takim urgjent i thirrur si përgjigje të sulmit të paprecedentë izraelit ndaj anëtarëve të Hamasit në Doha.

Sulmi vdekjeprurës, i kryer nga një aleat i SHBA-së në territorin e një aleati tjetër, shkaktoi një valë kritikash, ndër to edhe një qortim nga Presidenti Donald Trump në adresë të Izraelit. Ministri i Jashtëm i SHBA-së Marco Rubio, tha para gazetarëve se presidenti nuk ishte "i kënaqur" me këtë sulm, por këmbënguli se sulmi nuk do të "ndryshojë natyrën e marrëdhënies sonë me izraelitët".

Pamje nga sulmi i Izraelit në Doha
Në Katar zhvillohet një takim urgjent i thirrur si përgjigje të sulmit të paprecedentë izraelit ndaj anëtarëve të Hamasit në Doha.Fotografi: Security Camera/Anadolu/picture alliance

Uniteti i vendeve arabe dhe islamike

Mbledhja e jashtëzakonshme e udhëheqësve arabë dhe atyre të vendeve islamike do të shërbejë si një shfaqje e theksuar e unitetit midis vendeve të Gjirit Persik dhe do të kërkojë të ushtrohet më shumë presion mbi Izraelin, i cili tashmë po përballet me thirrje në rritje për t'i dhënë fund luftës dhe krizës humanitare në Gazë.

"Ka ardhur koha që bashkësia ndërkombëtare të ndalojë përdorimin e standardeve të dyfishta dhe ta ndëshkojë Izraelin për të gjitha krimet që ka kryer", tha kryeministri i Katarit, Sheikh Mohamed bin Abdulrahman Al Thani, në takimin përgatitor për mbledhjen e jashtëzakonshme, duke shtuar se "lufta shfarosëse" e Izraelit në Gazë nuk do të ketë sukses. "Ajo që po e inkurajon Izraelin të vazhdojë... është heshtja, pamundësia e bashkësisë ndërkombëtare për ta konsideruar atë përgjegjës."

Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan
Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan: "Sjellja e Izraelit nuk është më vetëm një çështje Palestinë-Izrael. Problemi më i madh tani është ekspansionizmi izraelit në rajon",Fotografi: Türkiye Dışişleri Bakanlığı

Jo më vetëm një çështje Izrael-Palestinë

Ndër udhëheqësit që priten në samitin e së hënës janë Presidenti iranian Masoud Pezeshkian, kryeministri irakian Mohamed Shia al-Sudani dhe Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan. Presidenti palestinez Mahmud Abbas ka arritur në Doha të dielën.

Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan tha për Al Xhazirën se çështja e sjelljes së Izraelit "nuk është më vetëm një çështje Palestinë-Izrael". "Problemi më i madh tani është ekspansionizmi izraelit në rajon", tha ai. "Vendet arabe dhe islamike duhet të bashkohen dhe të gjejnë një zgjidhje për këtë problem të krijuar së fundmi".

Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme të Katarit, Maxhed al-Ansari, takimi i së hënës do të shqyrtojë "një projekt-rezolutë mbi sulmin izraelit ndaj Shtetit të Katarit".

 

 

DW