1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merz në mesazhin e Vitit të Ri: Jo frikë, por shpresë

31 Dhjetor 2025

Në fjalimin e Vitit të Ri, kancelari federal Friedrich Merz u bën thirrje qytetarëve për guxim dhe unitet. Viti 2026 duhet të bëhet një vit i rimëkëmbjes për Gjermaninë dhe Evropën.

https://p.dw.com/p/569gc
Friedrich Merz flet para kamerës, në këmbë para flamurit gjerman dhe atij të Bashkimit Evropian.
Kancelari federal Friedrich Merz mban fjalimin e Vitit të Ri në Berlin. Fotografi: Metodi Popow/IMAGO

Në mesazhin tradicional të Vitit të Ri, kancelari gjerman Friedrich Merz theksoi sfidat kryesore të vitit 2026: Lufta në Evropë, tensionet tregtare, presioni për reforma ekonomike, teknologjitë e reja që ndryshojnë jetën dhe plakja e shoqërisë. Sipas tij, Gjermania ndodhet "në një epokë ndryshimesh” dhe duhet të forcojë tre themelet e saj: lirinë, sigurinë dhe mirëqenien.

Siguria dhe mbrojtja

Merz tha se qeveria e dalë nga zgjedhjet e parakohshme 23 shkurtit 2025 i ka krijuar bazat financiare për modernizimin e ushtrisë. Një ndryshim kushtetues mundëson investime më të mëdha, ndërsa shërbimi vullnetar ushtarak synon të rrisë gatishmërinë dhe përgjegjësinë. Merz theksoi se vendi mbetet i sigurt, por duhet të forcojmë aftësinë parandaluese "që të mos na duhet të luftojmë”.

Evropa dhe politika e jashtme

Kancelari kërkoi më shumë vetëbesim nga Bashkimi Evropian. BE-ja duhet të fokusohet në detyrat e saj thelbësore — liria, siguria dhe mirëqenia — dhe të ulë burokracinë. Ai paralajmëroi për rreziqet e sulmeve kibernetike dhe sabotimeve ruse, duke theksuar se agresioni kundër Ukrainës synon gjithë Evropën.

Ekonomia dhe reformat

Protektionizmi që po përhapet gjithnjë e më shumë në ekonominë botërore dhe varësia nga lëndët e para e vështirësojnë ekonominë gjermane, e cila është e varur nga eksportet. Ai tha se nga sipërmarrësit kërkohet më shumë kreativitet, ndërsa qeveria po zbaton lehtësime tatimore, mbështetje për energjinë dhe ulje të burokracisë, si edhe politika inovacioni për ta rikthyer Gjermaninë "në krye të zhvillimeve teknologjike”.

Merz kujtoi ndryshimet në anën gjeopolitike: Po ndryshon partneriteti ynë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat për një kohë të gjatë kanë qenë garanti i sigurt i mbrojtjes sonë. Për ne europianët kjo do të thotë: duhet t’i mbrojmë dhe t’i afirmojmë interesat tona shumë më tepër me forcat tona.”
 

Migracioni dhe shteti social

Në planin e Brendshëm, Merz tha se tashmë Gjermania "e vendos vetë se kush lejohet të hyjë në Gjermani e kush jo" . Ai kujtoi se qeveria e tij ka marrë vendime për të reduktuar migracionin e parregullt dhe për të krijuar kanale të ligjshme e të rregulluara. "Humanitet dhe rregull"  — tha ai — "janë dy anë të së njëjtës medalje.”

Njëkohësisht ka nisur debati për reformimin e shtetit social: reforma e ndihmës sociale (heqja e Bürgergeld) dhe krijimi i bazës së jetesës (Grundsicherung) si edhe ndryshime në pensione. Por kancelari paralajmëroi reforma të tjera për vitin 2026 për ta bërë sistemin të qëndrueshëm.

Vetëbesim dhe demokraci

Merz u bëri thirrje qytetarëve të mos udhëhiqen nga frika dhe pasiguria, por nga shpresa. "Nuk jemi viktima të rrethanave të jashtme. Nuk jemi lodër e fuqive të mëdha. Nuk i kemi duart e lidhura".  Proceset demokratike mund të jenë të gjata, por sigurojnë vendime të pranuara gjerësisht. "Gjermania është një vend i madh, që vazhdimisht ka dalë më e fortë nga krizat."

Kancelari e quajti vitin 2026 një mundësi për rimëkëmbjen e Gjermanisë dhe Evropës.”Mund të jetë një vit në të cilin Gjermania dhe Evropa, të rilidhen me forcë të re."