Propozimi i Merz për Ukrainën: “Anëtare e asociuar" në BE
21 Maj 2026
Kancelari gjerman Friedrich Merz në një letër dërguar institucioneve të BE-së, propozon për Ukrainën një status të veçantë si "anëtare e asociuar” e BE-së, pasi sipas tij një anëtarësim i plotë dhe i shpejtë është i pamundur. Në një letër drejtuar udhëheqësve të BE-së, politikani i CDU-së shpjegon se në këtë mënyrë vendi fqinj i Rusisë mund të integrohet më ngushtë në institucione si Këshilli i Ministrave dhe Komisioni Evropian. Megjithatë, Ukraina nuk do të gëzojë menjëherë të drejta të plota anëtarësimi dhe votimi.
Merz e justifikon këtë propozim me situatën e veçantë të Ukrainës si vend në luftë dhe me përparimet e konsiderueshme në negociatat e anëtarësimit. Sipas tij, ky propozim mund të lehtësojë edhe bisedimet për paqe të iniciuara nga presidenti i SHBA-së Donald Trump– ndër të tjera përmes një angazhimi politik të shteteve anëtare për të zbatuar edhe për Ukrainën klauzolën e ndihmës së BE-së.
Ky status i veçantë do të ishte një sinjal i fortë politik "për të cilin Ukraina dhe qytetarët e saj kanë shumë nevojë në luftën e tyre të vazhdueshme kundër agresionit rus”, thuhet në letrën e kancelarit, që e ka në dorë edhe Agjencia Gjermane të Shtypit, dpa, në Bruksel. Letra mban datën 18 maj dhe u është dërguar presidentit të Këshillit të BE-së António Costa, presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidentit të Qipros Nikos Christodoulides, si përfaqësues aktual i presidencës së Këshillit të BE-së.
Refuzim ndaj kërkesës së Kievit për anëtarësim të shpejtë
Ndërkohë, sipas vlerësimit të Merz-it, një pranim i shpejtë i Ukrainës në BE mbetet jorealist. "Është e qartë se procesi i anëtarësimit nuk mund të përfundojë në afat të shkurtër”, shkruan ai, duke përmendur "pengesa të shumta” dhe procedura ratifikimi politikisht të vështira në disa shtete anëtare.
"Jo një anëtarësim i lehtë” – Komisioni reagon me rezervë
Për të arritur megjithatë përparim të shpejtë, Merz propozon që BE-ja të negociojë "menjëherë dhe pa vonesë” për të gjitha çështjet kyçe të anëtarësimit. Për më tepër, ai sugjeron diskutimin e idesë së "anëtarësimit të asociuar”. "Ky nuk do të ishte një anëtarësim i lehtë, por do të shkonte përtej marrëveshjes ekzistuese të asociimit dhe do ta përshpejtonte procesin e anëtarësimit”, shpjegon ai.
Megjithatë, reagimi iKomisionit Evropian ishte fillimisht i rezervuar. Ai së fundmi ishte shqyrtuar pa sukses mundësia e një anëtarësimi më të shpejtë zyrtar të Ukrainës. Një zëdhënës i von der Leyen deklaroi se mirëpritet diskutimi për rrugë të reja në politikën e zgjerimit, duke theksuar angazhimin e fortë të shteteve anëtare për ta bërë këtë sa më shpejt realitet. Zgjerimi, sipas tij, është një investim gjeostrategjik në mirëqenie, paqe dhe siguri.
Kievi: Të mos dalë nga vëmendja nga anëtarësimi i plotë
Qeveria ukrainase reagoi me kujdes. "Çdo gjë që përshpejton procesin e anëtarësimit është e dobishme për ne”, tha zëvendëskryeministri për integrim evropian Taras Katschka për gazetën "Frankfurter Allgemeine Zeitung”. "As BE-ja dhe as Ukraina nuk duhet të humbasin kohë.”
Kievi mbetet i përkushtuar ndaj një anëtarësimi që bazohet në përmbushjen e kritereve të BE-së. Në të njëjtën kohë, agresioni rus krijon një situatë të veçantë. "Po afrohemi gjithnjë e më shumë në kuptimin e koncepteve të ndryshme që janë në tryezë. Por ato nuk duhet të largojnë vëmendjen nga qëllimi kryesor i anëtarësimit të plotë”, tha Katschka.
E drejta e votës vetëm më vonë
Sipas ideve të kancelarit, statusi i veçantë mund të përfshijë pjesëmarrjen e Ukrainës në samitet e BE-së dhe në Këshillin e Ministrave – por pa të drejtë vote. Gjithashtu mund të parashikohet një rol si anëtare e asociuar në Komisionin Evropian pa portofol dhe pa të drejtë vote, deputetë të asociuar në Parlamentin Evropian, si dhe një gjyqtar i asociuar në Gjykatën Evropiane.
Edhe në drejtim të aplikimit të legjislacionit të BE-së dhe qasjes në programet e BE-së, Merz propozon një afrim gradual. Ukraina nuk do të kontribuonte menjëherë në buxhetin e BE-së dhe as nuk do të përfitonte prej tij si anëtaret e plota. Megjithatë, programet mund të hapen gradualisht me klauzola mbrojtëse.
"Garanci substanciale sigurie” si synim
Për t'i ofruar qeverisë në Kiev një "garanci substanciale sigurie” në rast të një marrëveshjeje paqeje me Rusinë, kancelari propozon që shtetet e BE-së të angazhohen që tani për zbatimin e klauzolës së ndihmës sipas nenit 42 paragrafi 7 të Traktatit të BE-së edhe për Ukrainën. Ukraina, ndërkohë, duhet të harmonizojë plotësisht politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me atë të BE-së.
Sipas Merz-it, për këtë nuk do të nevojitet as ratifikimi i një traktati anëtarësimi sipas nenit 49 dhe as ndryshime në traktate. Ai flet për "një marrëveshje të fortë politike”. Për siguri, ai sugjeron një mekanizëm kthimi ose një klauzolë skadimi në rast se Ukraina shkel vlerat themelore të BE-së ose pëson regres të madh në procesin e anëtarësimit.
Zgjidhje të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Moldavinë
Për vendet e tjera kandidate si Shqipëria, Mali i Zi dhe Moldavia, Merz nuk propozon një status identik, por "zgjidhje inovative” për të përshpejtuar procesin e tyre të anëtarësimit. Sipas tij, mund të ketë hapa ndërmjetës, si qasje e privilegjuar në tregun e brendshëm dhe përfshirje më e ngushtë në proceset vendimmarrëse të përditshme të institucioneve të BE-së.
Nëse propozimi i Merz-it do të ketë sukses, do të shihet në muajt e ardhshëm. "Qëllimi im është të arrihet së shpejti një marrëveshje dhe të krijohet një task-forcë e veçantë për të hartuar detajet”, shkruan kancelari në letër. Ai shprehet i gatshëm të diskutojë idetë e tij me krerët e shteteve dhe përfaqësuesit e lartë të BE-së.
dpa