1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mijëra qytetarë për protestën e 35-të në Tiranë

5 Korrik 2026

Kur shumëkush mendonte se protestat po shkonin drejt fundit, mijëra qytetarë mbushën sërish këtë të shtunë Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë.

https://p.dw.com/p/5GaJ7
Protestues me pankarta dhe flamuj kombëtar mbledhur në bulevardin e Turanës "Dëshmorët e Kombit"
Për të 35 ditë radhazi mijëra qytetarë mbushën sërish këtë të shtunë Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranëduke protestuar kundër establishmentit politik. Fotografi: Rashela Shehu/DW

Në protestën e 35-të kombëtare, shqiptarë nga qytete të ndryshme të vendit dhe diaspora kërkuan largimin ekryeministrit Edi Rama, i cili këtë 4 korrik feston edhe 62-vjetorin e lindjes.

Mes flamujve kombëtarë dhe pankartave nuk munguan as simbolet ironike. Protestuesit sollën një tortë ditëlindjeje, një arkivol me mbishkrimin "vdekje politike", si edhe instalacione të tjera simbolike, përmes të cilave shprehën pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe klasës politike në vend.

Mesazhet nga protesta

Aktivistë, aktorë, gazetarë dhe qytetarë të ndryshëm morën fjalën gjatë protestës, duke përcjellë mesazhe për situatën në vend.

Mes tyre, aktori i njohur Mehdi Malkaj iu drejtua qytetarëve me një mesazh për rëndësinë e vendit, duke theksuar se atdheu duhet të jetë mbi gjithçka. "Për dashurinë jap jetën, por për Atdheun jap dashurinë" - deklaroi ai, mes brohoritjeve të protestuesve.

Ndërkaq, aktori Arben Bajraktaraj kritikoi qeverinë dhe kërkoi lirimin e protestuesve të arrestuar gjatë përplasjeve të ditëve të fundit. 

Protestues në Tiranë me pankarta duke kërkuar dorëheqjen e kreministrit.
Protestuesit për të 35 ditë radhazi kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të gjithë establishmentit politik të këtyre 35 vjetëve.Fotografi: Rashela Shehu/DW

"50 vjet dhunë. Boll më! Pushteti i ka mbyllur sytë, i ka mbyllur veshët. Mërgimi nuk është atdheu ynë" - u shpreh aktori. Fjalën e mori edhe një emigrant i ardhur nga Shtetet e Bashkuara, i cili tha se ishte kthyer në Shqipëri pas 30 vitesh për t'iu bashkuar protestës.

"Kjo është protesta më paqësore në 35 vjet në Shqipëri. Këtë regjim do ta çojmë në kazan të plehrave. Të parët tanë luftuan dhe dhanë edhe jetën për këtë tokë" - u shpreh ai.

Të dielën marshim në mbështetje të protestuesve të arrestuar

Protesta e së shtunës vjen pas tensioneve të shënuara të enjten (02.07.2026) para Parlamentit, ndërsa brenda zhvillohej seanca plenare. Protestuesit hodhën vezë, gurë dhe sende të forta në drejtim të forcave të policisë, ndërsa efektivët përdorën gaz lotsjellës dhe ujë me presion për shpërndarjen e tyre.

Pas përfundimit të seancës, protestuesit bllokuan daljet e Parlamentit, duke penguar largimin e deputetëve. Përplasjet vijuan më pas në disa rrugë të Tiranës. Sipas policisë, 18 persona u shoqëruan pas incidenteve, ndërsa të lënduar pati si mes protestuesve, ashtu edhe mes efektivëve të policisë.

Organizatorët kanë paralajmëruar se protesta do të vijojë edhe të dielën. Ata kanë bërë thirrje për një marshim para Gjykatës së Tiranës në shenjë solidariteti me protestuesit e arrestuar, të cilët pritet të dalin para gjykatës në orën 09:00 për caktimin e masës së sigurisë.

 

Një grua me flokë të gjata (Rashela Shehu) duke buzëqeshur në kamera
Rashela Shehu korrespondente nga Tirana