Ngatërrim kompetencash për të drejtat e njeriut
20 Prill 2006
Deri tani Bashkimi Evropian ka në Vjenë një "Zyrë Vrojtimi për Racizmin dhe Ksenofobinë". Në të ardhmen ajo planifikohet të zgjerohet në një "Agjenci për të Drejtat e Njeriut". Për detyrat e saj po diskutohet aktualisht fuqishëm; sepse këtu ka ndërhyrë Këshilli i Evropës, institucioni më i vjetër dhe më i madh evropian. Një prej detyrave më të rëndësishme të tij është mbrojtja e të drejtave të njeriut.
Thomas Hammarberg është në fakt një burrë i shpenguar: suedezi 63 vjeçar ka përvojë konfliktesh nga shumë misione humanitare jashtë vendit. Por që me marrjen e postit të të ngarkuarit për të drejtat e njeriut në Këshillin e Evropës pak javë më parë ai qëndron shpesh në zyrën e tij të re dhe acarohet para së gjithash me Brukselin dhe me Komisionin Evropian. Kjo sepse Komisioni kërkon të krijojë një agjenci evropiane për të drejtat e njeriut me seli në Vjenë. Përfundimi nuk ka sesi të jetë i mirë, mendon Hammarberg:
"Kur Bashkimi Evropian fillon tani të interesohet për të drejtat e njeriut atëherë ai nuk duhet të minojë punën e Këshillit të Evropës. Kjo do të prodhonte vetëm pasiguri në lidhje me standartet që vlejnë për të drejtat e njeriut."
Kurrsesi - thuhet në Komisionin Evropian. Agjencia e planifikuar për të drejtat e njeriut nuk është rivale në luftën për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe për demokraci, përpiqet të qetësojë presidenti i Komisionit Evropian José Manuel Barroso:
"Edhe nëse Komisioni Evropian dhe Këshilli i Evropës do të thonë me raste të njëjtën gjë, kjo nuk përbën ndonjë problem, përkundrazi. Ajo duhet parë si pasurim dhe plotësim i ndërsjelltë."
Por çështja nuk është aq e thjeshtë sa ç'tingëllon. Mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe e demokracisë është detyra më e fisme, më qendrore e Këshillit të Evropës në Strasburg. Para portave të tij janë ngritur 46 flamujtë e shteteve anëtare - të gjitha këto kanë nënshkruar konventën për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore. Çdo qytetar që konsideron t'i jenë shkelur të drejtat bazë mund të ngrejë padi pranë gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut - parakusht është që të kenë shteruar mundësitë e ndjekjes së çështjes në gjykatat kombëtare. Thomas Hammarberg:
"Gjykata është pjesë e Këshillit të Evropës dhe gjykatësit atje janë ekspertë kur është fjala për rëndësinë e konventave për të drejtat e njeriut - Bashkimi Evropian duhet të respektojë edhe këtë fakt."
Cila është atëherë nevoja për një organizatë të dytë, në parim konkurruese, në Evropë? - pyet i ngarkuari për të drejtat e njeriut. Për të kontrolluar në përgjegjësi individuale respektimin e klauzolave për të drejtat e njeriut në marrëveshjet e Bashkimit Evropian, është përgjigja në Bruksel.
Por në korridoret e Këshillit të Evropës mund të dëgjosh këto ditë, se atje po harxhohen krejt pa kuptim para të taksapaguesve, qytetarët po çoroditen edhe një herë më shumë nga një institucion i ri evropian. Që tani Këshilli i Evropës lufton me faktin që opinioni e ngatërron me diçka tjetër: qoftë me Parlamentin Evropian, qoftë me Këshillin Evropian, të cilët nuk kanë të bëjnë aspak me institucionin në Strasburg. Dhe tani planifikohet edhe një agjenci e re e Bashkimit Evropian për të drejtat e njeriut.