1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Peter Magyar paraqet prioritetet në konferencën e shtypit

13 Prill 2026

Kryeministri i ardhshëm, Peter Magyar, ka premtuar ta afrojë Budapestin me Bashkimin Evropian dhe ta largojë nga Rusia. Megjithatë, ai ka të ngjarë të vazhdojë politikat e ashpra të Viktor Orbán për imigracionin.

https://p.dw.com/p/5C79q
Peter Magyar mban një fjalim para një turme mbështetësish gjatë tubimit të partisë TISZA natën e zgjedhjeve në Budapest (12.04.2026) Magyar flet ne podium me nje mashkull majtas dhe nje femer djathtas
Peter Magyar mban një fjalim para një turme mbështetësish gjatë tubimit të partisë TISZA natën e zgjedhjeve në Budapest.Fotografi: Attila Husejnow/SOPA Images/IMAGO

Peter Magyar, kryeministri i ardhshëm i mundshëmi Hungarisë, ka paraqiturdisa nga ndryshimet politike që mund të presë Hungaria gjatë konferencës së tij të parë të madhe të shtypit, që nga momenti kur partia e tij, Tisza, i dha fund qeverisjes 16-vjeçare të Fidesz-it të Viktor Orbánit.

Një nga faktorët që e çuan Magyar-in drejt fitores ishte premtimi i tij për t'u distancuar nga Rusia dhe për ta përmbysur skepticizmin e paraardhësit të tij ndaj BE, veçanërisht tani që Budapesti përballet me vështirësi financiare dhe ka nevojë urgjente për fonde të BE.

"Nëse Vladimir Putin telefonon, do ta ngre telefonin," u tha ai gazetarëve të hënën (13.04.2026). "Ndoshta do të ishte një telefonatë e shkurtër dhe nuk mendoj se ai do ta ndalojë luftën për shkak të këshillës sime." "Rusia mbetet një rrezik për sigurinë," shtoi ai.

Peter Kreko, politolog hungarez, i tha DW-së se me Magyar-in, "Hungaria nuk do të jetë më kali i Trojës i Rusisë brenda Bashkimit Evropian ose NATO-s".

SHBA mbetet e rëndësishme pavarësisht problemeve me Trumpin

Magyar-i tha se nuk kishte plane t'i telefononte Presidentit të SHBA, Donald Trump, i cili e ka mbështetur hapur Orbánin — madje dërgoi Zëvendëspresidentin JD Vance për të bërë fushatë për të. Në të njëjtën kohë, kreu i partisë Tisza tha se SHBA mbetet "një aleat i rëndësishëm"

Ai gjithashtu premtoi të luftojë korrupsionin dhe të propozojë një amendament kushtetues për të parandaluar rikthimin e Orbanit në pushtet.

Qeveritë e njëpasnjëshme të Orbanit janë akuzuar për kufizimin e lirive të medias, të gjyqësorit dhe të procesit zgjedhor.

"Do të bëjmë gjithçka për të rivendosur sundimin e ligjit, demokracinë pluraliste dhe sistemin e kontrollit dhe balancave," tha Magyar-i.

A kanë diçka të përbashkët Magyar-i dhe Orbán-i?

Fidesz dhe Tisza konsiderohen të dyja si parti konservatore dhe populiste. Megjithatë, me kalimin e viteve, Fidesz u zhvendos më tej djathtas, duke paraqitur Orbán-in si mbrojtësin e Hungarisë kundër forcave të huaja keqdashëse. Vlen të përmendet veçanërisht se Orbán-i ka penguar përsëri përpjekjet e BE për t'i ofruar ndihmë Ukrainës përballë pushtimit rus.

Të hënën, Magyar-i deklaroi se mbështeste anëtarësimin e Ukrainës në BE, por se nuk do të mbështeste anëtarësimin e saj të shpejtë në bllok.

'Nga njëra anë, po flasim për një vend në luftë; është krejtësisht jashtë çdo diskutimi që Bashkimi Evropian të pranojë një vend në luftë,' tha ai.

Magyar-i deklaroi se të gjitha shtetet anëtare duhet të trajtohen njësoj, dhe se do t'i duheshin garanci më të forta për të drejtat e hungarezëve etnikë në Ukrainë për të mbështetur plotësisht aplikimin e saj.

Ashtu si Orbán-i, Magyar ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj imigracionit. Sipas Peter Kreko-y, ai "theksoi se dëshironte edhe më pak imigracion në Hungari sesa qeveria e mëparshme".

Megjithatë, Kreko nuk besonte se Orbán do të kishte shumë ndikim në Hungari në të ardhmen. "Kthimi i tij në politikë, madje edhe në plan afatmesëm ose afatgjatë, është i pasigurt," shtoi Kreko, duke pasur parasysh se si hungarezët i perceptuan lidhjet e tij të ngushta me Rusinë.

Tisza fitoi 138 nga 199 vendet në parlamentin hungarez  në zgjedhjet e së dielës, me 53 për qind të votave, ndërsa Fidesz-i siguroi 55 vende dhe vetëm 38 për qind të votave. Sapo të mblidhet Parlamenti, shumica prej dy të tretash e Tiszës pritet të zgjedhë shpejt Magyar-in si kryeministër.

 

aud (E.Schumacher/ap, rtr)