Pistorius: "Provokim ndaj NATO-s në tërësi"
10 Shtator 2025
Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë Boris Pistorius depërtimin e dronëve ushtarakë rusë në Polonie cilësoi si një shkelje të pashembullt të hapësirës ajrore. Gjermania mbështet të gjitha hapat, që garantojnë sigurinë e Polonisë dhe të Europës, tha politikani socialdemokrat para gazetarëve në Bundestag. Nuk ka asnjë shkas për të hamendësuar, se kemi të bëjmë me gabim në korrigjimin e kursit, theksoi ministri i Mbrojtjes. "Këto dronë janë vendosur qartazi në kurs me objeksion të caktuar. Për të fluturuar mbi Ukrainë, atyre nuk u duhej të fluturonin në këtë itinerar", tha Pistorius. "Qartazi ato edhe ishin pajisur me municion për këtë, sipas deklaratave nga Polonia. Në çdo kohë mund të kishte ndodhur diçka."
Ky provokim adresohej jo vetëm ndaj Polonisë, por ndaj NATO-s në tërësi dhe rendit europian të sigurisë. Rusia duket qartë se synon të verë në provë "vendosmërinë tonë", tha më tej ministri. Por ky plan nuk ka rezultat. "Ne bazohemi tek fuqia dhe vendosmëria dhe ne nuk lejojmë të na provokojnë." Ky incident nuk mund të konsiderohet si "një Petitesse", theksoi Pistorius. NATO-ja tani do të reagojë - "qartë, por edhe me shumë arsye dhe pa nxitur përshkallëzim".
Edhe kancelari Friedrich Merz e dënoi ashpër incidentin: "Rusia ka rrezikuar jetë njerëzish në një shtet, që i përket NATO-s dhe BE-së", tha zëdhënësi i qeverisë Stefan Kornelius. Ai nënvizoi më tej, se ky veprim është në vazhdën e një zinxhiri të gjatë provokimesh në hapësirën e Detit Baltik dhe në krahun lindor të NATO-s. "Qeveria federale e dënon ashpër këtë veprim agresiv rus."
Neni 4 i Marrëveshjes së NATO-s
Pas shkeljes së hapësirës së saj ajrore nga dronët rusë Polonia në bazë të nenit 4 të Marrëveshjes së NATO-s kërkoi konsultime. Në bazë të këtij neni secili vend anëtar në rast të kërcënimit të "integritetit territorial, pavarësisë politike apo sigurisë" mund të kërkojë mbledhjen e këshillit të aleancës në Bruksel. Në këtë mbledhje Këshilli i NATO-s duhet të diskutojë temën – dhe mund të merren vendime të përbashkëta ose masa, por jo detyrimisht.
Ky nen është vënë në veprim që nga themelimi i aleancës më 1949 deri tani shtatë herë – së fundi më 24 shkurt 2022, ditën e sulmit rus ndaj Ukrainës.
Mbledhja u zhvillua pasdite konform nenit 4. Por aleanca nuk donte të jepte një gjykim përfundimtar. Verfikimi është ende në proces, tha sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte në Bruksel.
Trump do të bisedojë me presidentin e Polonisë në telefon. Edhe presidenti i SHBA-së e dënoi shkeljen e hapësirës ajrore të Polonisë. Sipas të dhënave të Shtëpisë së Bardhë presidenti Trump do të bisedojë në telefon me presidentin e Polonisë Karol Navrocki.
Rusia shpreh gatishmëri për bisedime
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë i hodhi poshtë akuzat: "Nuk ishin planifikuar objekte për t'u shkatërruar në territorin e Polonisë", vuri në dukje ministria në rrjetin Telegram. "Distanca maksimale e fluturimit të dronëve rusë të përdorur në këtë sulm, që pretendohet se kanë shkelur kufirin me Poloninë, nuk është më shumë se 700 kilometra", thuhet më tej. Megjithatë jemi të gatshëm të zhvillojmë konsultime me Ministrinë polake të Mbrojtjes për këtë temë, thuhet më tej. Nga Bjellorusia thuhet, se ushtria bjelloruse gjithashtu ka goditur dronë, që kishin devijuar kursin për shkak të ndërhyrjeve elektronike. Këtë e vuri në dukje shefi i shtabit të përgjithshëm bjellorus Pavel Muravejko. Se nga vinin këta dronë, ai nuk e bëri të ditur. Bjellorusia ka informuar si Lituaninë dhe Poloninë për fluturimin e dronëve. Nga pala polake dhe lituaneze deri tani këto të dhëna nuk janë konfirmuar.
ard/dpa