Protestat në Iran: rritet numri i të vdekurve
6 Janar 2026
Në Iran vazhdojnë demonstratat antiqeveritare. Sipas dëshmitarëve okularë, protesta spontane shpërthyen në Pazarin e Madh në kryeqytet, Teheran. Sipas informacioneve të mediave, pati përplasje midis demonstruesve dhe forcave të sigurisë. Këto të fundit përdorën gaz lotsjellës dhe shpërndanë pjesëmarrësit në veprim. Tregu u mbyll.
Sipas aktivistëve, të paktën 35 persona janë vrarë deri tani në protestat në Iran. Ndër ta janë 29 demonstrues, katër fëmijë dhe dy anëtarë të forcave të sigurisë iraniane, sipas rrjetit për të drejtat e njeriut me bazë në SHBA, HRANA. Për më tepër, më shumë se 1.200 persona janë arrestuar gjatë demonstratave kundër regjimit autoritar në të gjithë vendin.
Ky grup mbështetet në një rrjet aktivistësh brenda Iranit dhe ka ofruar informacione të sakta për trazirat në të kaluarën. Sipas tyre, në ditët e fundit protestat kanë ndodhur në të paktën 88 qytete.
Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Fars, e konsideruar si e lidhur ngushtë me Gardën Revolucionare paramilitare të Iranit, raportoi vonë të hënën se rreth 250 oficerë policie dhe 45 anëtarë të njësisë vullnetare Basij të Gardës Revolucionare ishin plagosur.
Drejtësia njofton goditje të ashpër
Shkaku i protestave ishte, më shumë se një javë më parë, një tronditje në tregun e monedhës iraniane, gjë që çoi tregtarët e zemëruar në Teheran të dilnin spontanisht në rrugë. Ndërkohë, monedha kombëtare, rial-i, arriti një nivel historikisht të ulët. Demonstratat u shndërruan shpejt në protesta politike, të cilat, ashtu si në të kaluarën, po përndiqen ashpër nga shteti.
Të hënën, drejtësia e Republikës Islamike njoftoi se do të vepronte pa mëshirë. Sipas HRANA-s, studentët i janë bashkuar protestave në të paktën 17 universitete në mbarë vendin.
aud (dlf/tgsch)