1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Sulm kibernetik": Pengesa në disa aeroporte europiane

20 Shtator 2025

Objektiv i sulmit me sa duket ka qenë një ofrues nga SHBA për sistemet e check-in dhe boarding. Meqënëse sistemet e këtij ofruesi përdoren në shumë aeroporte, ka pasur në disa vende anulim ose vonesa të fluturimeve.

https://p.dw.com/p/50oxW
Pasagjerë duke në radhë në aerportin Berlin-Brandenburg pas një defekti në sistemin e kontrollit elektronik
Në faqen e internetit të aeroportit njoftohej se: "Për shkak të një defekti teknik tek një ofrues i sistemit në mbarë Europën ka radhë të gjata në check-in. Po punojmë për një zgjidhje teknike." Fotografi: Fabian Sommer/dpa/picture alliance

Një sulm kibernetik ka shkaktuar vonesa në aeroportin e Berlinit BER dhe në një sërë aeroportesh të tjera europiane. Ofruesi i sistemeve për përgatitjen e pasagjerëve për fluturim të premten (19.09.2025) në mbrëmje u sulmua, vuri në dukje aeroporti i Berlinit, BER. Ndërlidhjet me këtë sistem si rjedhojë u bllokuan. Pasagjerët që nga mëngjesi i së shtunës u përballën me vonesa të fluturimeve.

Në faqen e internetit të aeroportit njoftohej se: "Për shkak të një defekti teknik tek një ofrues i sistemit në mbarë Europën ka radhë të gjata në check-in. Po punojmë për një zgjidhje teknike." Sipas aeroportit  BER dhe atij të Londrës Heathrow e prekur është firma Collins Aerospace.

Kjo sipërmarrje nga SHBA i konfirmoi agjencisë gjermane të lajmeve, DPA, "një defekt kibernetik" në disa aeroporte. Po punohet, "të zgjidhet problemi dhe të rikthehet funksionimi i plotë për klientët tanë sa më shpejt që të jetë e mundur".

Pasojat ishin të kufizuara në check-in elektronik: "kjo procedurë mundi të zbutet paksa përmes check-in manual", shkruan Collins Aerospace. Krahas prodhimit të komponentëve për industrinë e aviacionit filiali i koncernit RTX Corporation zhvillon ndër të tjera sisteme për përdorim ushtarak dhe është aktiv edhe në teknologjinë e fluturimeve në hapësirë.

Sallë e madhe në aerportin e Londrës Heathrow dhe pasagjerët duke qarkulluar me bagazhe në dorë
Aerporti i Londrës Heathrow njoftoi gjithashtu për probleme, vonesa gjatë kontrolleve të pasagjerëveFotografi: Maja Smiejkowska/REUTERS

Kontrolle me letër dhe laps

Aeroporti i kryeqytetit për shkak të defektit iu kthye verifikimit të pasagjerëve me metodat e vjetra. "Ndërkohë po kryejmë procedurat e kontrollit përmes listave në letër dhe shënimeve me laps në to", tha një zëdhënës. Kjo bën që të ketë pritje të gjata. Se sa do të zgjasë funksionimi me kufizime, nuk mund ta parashikojmë. Check-in online ndërkohë funksionon. Njëkohësisht u komunikua: "Aeroporti nuk është objektiv i sulmit kibernetik dhe është prekur vetëm indirekt prej tij." Megjithatë u krijua një shtab krize.

Meqënëse sistemet e ofruesit Collins përdoren në mbarë Europën, u prekën edhe të tjera aeroporte të rëndësishme - kjo u konfirmua nga aeroporti i Brukselit në Belgjikë dhe London-Heathrow në Britaninë e Madhe. Ndërsa në Bruksel bëhej fjalë për një "sulm kibernetik", vonesat në Londër u shpjeguan me një "problem teknik" tek Collins Aerospace. Aeroportet gjermane Frankfurt mbi Main, Mynih, Hamburg, Hanover, Drezden, Laipcig/Halle, Dyseldorf,  Bremen dhe Këln nuk njoftuan të kenë pasur kufizime.

jj/haz (dpa, afp)