Izraeli dhe Hamasi bien dakord për lirimin e pengjeve
9 Tetor 2025
Sipas Presidentit të SHBA-së, Donald Trump Izraeli dhe grupi radikal islamist Hamas kanë rënë dakord për zbatimin e fazës së parë të një marrëveshjeje të propozuar nga SHBA për Rripin e Gazës. Ky është progresi i parë i madh për paqen dy vjet pas fillimit të luftës në Gaza.
Lirim i shpejtë i pengjeve, zgjerim i ndihmës për Gazën
"Kjo do të thotë që shumë shpejt, të gjithë pengjet do të lirohen dhe Izraeli do të tërheqë trupat e tij në një vijë të dakordësuar, si hapat e parë drejt një paqeje të fortë, të qëndrueshme dhe të përhershme", njoftoi Trump në platformën e tij Truth Social pas negociatave indirekte midis palëve ndërluftuese në Egjipt.
Në këmbim, Izraeli do të tërheqë trupat e tij në një vijë, për të cilën është rënë dakord. Të burgosurit palestinezë do të lirohen gjithashtu në këmbim të pengjeve. Ndihma humanitare për Rripin e Gazës do të zgjerohet gjithashtu ndjeshëm.
Marrëveshja mund të nënshkruhet që këtë të enjte në Egjipt. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi se do të thërrasë një mbledhje të kabinetit për të ratifikuar marrëveshjen. Sipas ushtrisë izraelite, përgatitjet tashmë janë duke u zhvilluar për të pranuar pengjet.
Hamasi, i cili është kategorizuar si organizatë terroriste nga SHBA, BE, Gjermania e shumë vende e konfirmoi marrëveshjen.
la/pgr/al/AN (dpa, afp, rtr)