Uashtington: Të shtëna gjatë një darke, Trumpi i padëmtuar
26 Prill 2026
Presidenti amerikan Donald Trump, bashkëshortja e tij Melania Trump dhe anëtarë të qeverisë amerikane u detyruan të evakuoheshin nën masa sigurie gjatë darkës tradicionale të korrespondentëve dhe gazetarëve të Shtëpisë së Bardhë. Pak pasi kishte nisur mbrëmja u dëgjuan të shtëna pranë pikës së kontrollit të sigurisë në hotel.
Një agjent i Shërbimit Sekret të SHBA-së u qëllua, por jeleku antiplumb i shpëtoi jetën, tha Trumpi në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë. "Sapo fola me oficerin dhe ai është mirë,” u shpreh ai.
Në videot e publikuara shiheshin skena kaotike. Menjëherë pas të shtënave u dëgjuan thirrje si "Të shtëna!” dhe "Shtrihuni përtokë!”. Të ftuarit u përpoqën në panik të fshiheshin poshtë tavolinave.
Autori i dyshuar kishte disa armë
Donald Trumpi publikoi në platformën e tij sociale Truth Social një video në të cilën thuhet se shihet incidenti. Në të shihet një burrë që vrapon pranë forcave të sigurisë, duke qëlluar me armë. Në një fotografi tjetër, të publikuar gjithashtu nga presidenti amerikan, shihet si burri ndodhet i shtrirë në dyshemenë e hotelit me pranga në duar.
Sipas shefit të policisë Jeffrey W. Carroll, autori i dyshuar kishte me vete një pushkë gjahu, një pistoletë dhe disa thika. Trumpi beson se ka shumë gjasa që bëhet fjalë për një autor të vetëm. Gjatë konferencës për shtyp rreth dy orë pas ngjarjes ai e përshkroi të dyshuarin si "vrasës të dështuar”.
Presidenti tha se nuk di nëse ishte ai vetë objektivi i sulmit, duke shtuar se ndodhej relativisht larg vendit të incidentit. Motivi i autorit, i cili sipas mediave dyshohet se është nga Kalifornia, është ende i paqartë.