Venezuela gëzon të ardhura nga nafta, SHBA përfiton
21 Janar 2026
Sipas Presidentes së përkohshme Delcy Rodríguez, Venezuela ka marrë 300 milionë dollarë (256 milionë euro)nga SHBA-ja për shitjen e naftës së saj. Paratë janë destinuar për të stabilizuar tregun e valutës dhe për të mbrojtur fuqinë blerëse të punëtorëve, tha Rodríguez në televizionin shtetëror. Sipas kësaj informacioni, 200 milionë dollarë nga 500 milionë dollarët mbetën në SHBA.
Monedha venezueliane, bolivar, është praktikisht pa vlerë për shkak të hiperinflacionit të vazhdueshëm. Në vitin 2019, presidenti i atëhershëm Nicolás Maduro integroi dollarin si monedhë. Megjithatë, për shkak të sanksioneve amerikane, të cilat bllokuan shitjen e naftës venezueliane nën qeverinë e mëparshme, ka një mungesë dollarësh në këtë vend të Amerikës së Jugut.
Qeveria kalimtare dëshiron të reduktojë gradualisht hendekun midis kursit zyrtar të këmbimit të dollarit dhe kursit të tregut të zi.
Uashingtoni kontrollon industrinë e naftës
Në fillim të janarit, Shtetet e Bashkuara kryen një sulm ushtarak në Venezuelë dhe kapën presidentin Maduro dhe gruan e tij. Ish-kreu i shtetit me bindje të majta do të gjykohet në SHBA për "narko-terrorizëm". Pas sulmit, Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se shitja e naftës venezueliane do të kontrollohej nga Uashingtoni për një periudhë të pacaktuar: një pjesë e të ardhurave do t'i shkonte vendit të origjinës dhe një pjesë SHBA.
SHBA duket të jenë të vendosura ta zbatojnë këtë rregullore. Sipas deklaratave të tyre, Marina ndaloi një tjetër cisternë në Karaibe që po përpiqej të thyente bllokadën e Trumpit ndaj anijeve të sanksionuara. Komanda Jugore e Ushtrisë Amerikane, e cila është përgjegjëse për rajonin, raportoi se operacioni kundër anijes motorike "Sagitta" kishte kaluar "pa incidente".
Prani e rritur ushtarake
Në javët e fundit, SHBA kishin vënë tashmë nën kontroll disa anije- cisterna. Në të njëjtën kohë, ato rritën ndjeshëm praninë e tyre në Karaibe. Ndër të tjera, avionë luftarakë shtesë janë vendosur atje në muajt e fundit. Aeroplanmbajtësja "USS Gerald R. Ford" gjithashtu u dërgua në rajon.
Venezuela ka rezervat më të mëdha të njohura të naftës në botë; deri në vitin 2005, ky vend ishte një nga furnizuesit kryesorë të Uashingtonit. Sot, prodhimi është relativisht i ulët, pjesërisht për shkak të bllokimit të investimeve në infrastrukturë.
Pas arritjes së kulmit me mbi tre milionë fuçi në ditë në fillim të viteve 2000, Venezuela së fundmi prodhonte rreth një milion fuçi në ditë. Megjithatë, kjo përbën ende rreth dy për qind të sasisë së përgjithshme globale.
dw(dpa, afp, rtr)