1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Von der Leyen takim me Osmanin dhe Kurtin në Kosovë

15 Tetor 2025

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Kosova duhet t’i finalizojë hapat e domosdoshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes së BE-së.

https://p.dw.com/p/523vf
Fotografi e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani me presidenten e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen gjatë takimit në Prishtinë
Vizita në Kosovë e Presidentes së Komisionit Evropian u zhvillua në kuadër të turneut të saj në Ballkan. Fotografi: Press office of the Kosovo presidency

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen,takoi në Prishtinë ndaras presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Pas takimeve nuk pati adresim për media, por shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shkroi në platformën X se Bashkimi Evropian "është i përkushtuar për një të ardhme në të cilën të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e unionit.”

"Për këtë, është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë ndërtimin e institucioneve të sigurta, të ulë tensionet në shtet dhe, po ashtu, Kosova duhet t'i finalizojë hapat e domosdoshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes”, shkroi von der Leyen.

Vizita në Kosovë e Presidentes së Komisionit Evropian u zhvillua në kuadër të turneut të saj në Ballkan. Ajo paraprakisht vizitoi Shqipërinë, Malin e Zi, Bosnje e Hercegovinën dhe Serbinë. Pas Kosovës, viziton edhe Maqedoninë e Veriut.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit që zhvilloi me Ursula von der Leyen, përmes një komunikate për media, shkroi se "me shefen e KE-së bisedoi për çështjen e zbatimit të Planit të Rritjes, masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës dhe për integrimin evropian të vendit.”

Osmani rithkeson kërkesën: Kosovës t'i jepet statusi i vendit kandidat në BE

"Gjatë takimit, presidentja Osmani theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës ndaj agjendës së reformave në kuadër të Planit të Rritjes, duke nënvizuar rëndësinë e zbatimit të tyre dhe bashkëpunimit të ngushtë me Bashkimin Evropian në këtë proces. Tani që kuvendi është konstituuar, presidentja shprehu pritjet e saj që miratimi i Planit të Rritjes të jetë ndër vendimet e para të kuvendit”, njoftoi zyra e presidentes Osmani.

Më tej, presidentja shtoi se "reformat e suksesshme dhe përparimi i vazhdueshëm i Kosovës në indekset ndërkombëtare të demokracisë dhe sundimit të ligjit janë dëshmi e qartë e përkushtimit të vendit tonë ndaj integrimit evropian. Në këtë kontekst, ajo ritheksoi rëndësinë që Kosovës t'i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke gjetur mënyra për thyerjen e bllokadës aktuale që ekziston në BE.”

Kosova, që nga zgjedhjet parlamentare të shkurtit të këtij viti, ende nuk ka formuar qeverinë e re, për shkak të stërzgjatjes së konstituimit të parlamentit. Presidentja Vjosa Osmani tashmë ka mandatuar Albin Kurtin si fitues i zgjedhjeve për ta formuar qeverinë e re dhe ai ka afat deri më 26 tetor që të paraqesë para kuvendit përbërjen e re qeveritare.

Për zgjedhjen e qeverisë së re Kurtit i duhen 61 vota dhe ai tha se është duke zhvilluar diskutime gjatë këtyre ditëve për formimin e shumicës, pasi në bazë të rezultatit zgjedhor ai nuk mund të qeverisë i vetëm, pa një partner koalicioni.

Për shkak të vonesës në krijimin e institucioneve qendrore, Kosova vazhdon të mbetet jashtë Planit të Rritjes së BE-së, duke mos mundur të marrë ndihmën financiare të ndarë nga BE-ja, sepse paraprakisht marrëveshja ndërkombëtare duhet miratuar në parlament.

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, prej 6 miliardë eurosh, përfshin investime dhe reforma për vendet e Ballkanit, si pjesë e agjendës reformuese për periudhën 2024–2027. Nga kjo shumë, dy miliardë janë në formë granti, ndërsa katër miliardë euro janë në formë kredie me kushte shumë të favorshme.