1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zërat e rinisë në Forumin Rinor të Procesit të Berlinit

19 Shtator 2025

Mbi 90 të rinj nga Ballkani morën pjesë në Forumin Rinor të Procesit të Berlinit në Prishtinë. Rekomandimet e tyre do të prezantohen në Londër. Çfarë kërkojnë ata nga politikbërësit?

https://p.dw.com/p/50n8z
Pamje nga salla ku u zhvillua Forumi Rinor i Procesit të Berlinit
Në kryeqytetin e Kosovës u zhvillua një prej ngjarjeve më të rëndësishme rajonale për të rinjtë, Forumi Rinor i Procesit të Berlinit.Fotografi: Vjosa Cerkini/DW

Në kryeqytetin e Kosovës u zhvillua një prej ngjarjeve më të rëndësishme rajonale për të rinjtë, Forumi Rinor i Procesit të Berlinit. I organizuar nga RYCO me mbështetjen e Ambasadës Britanike, forumi mblodhi së bashku 95 të rinj nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe diaspora. Qëllimi: të diskutojnë sfidat dhe mundësitë e përbashkëta të brezit të ri dhe të japin rekomandime konkrete për politikëbërësit.

Atmosferë e gjallë

Të rinj nga Bosnja dhe Hercegovina deri në Shqipëri, nga Maqedonia e Veriut deri në Mal të Zi dhe Serbi rrëfyen se sa shumë rëndësi ka për ta ky forum, ku për herë të parë shumë prej tyre kishin mundësi të njiheshin me njëri-tjetrin, të thyenin stereotipe dhe të ndanin histori personale. Temat e diskutimit ishin të fokusuara tek migrimi, siguria dhe zhvillimi ekonomik.

"Kjo konferencë na lidh dhe na forcon,” tha Gentrit Krasniqi nga Sllatina, duke shtuar se aktivitetet e tilla ndikojnë drejtpërdrejt për paqen, sigurinë dhe zhvillimin.

Matej Knezovic, 24-vjeçar nga Tivati i Malit të Zi, pjesëmarrës në forum
Matej Knezovic, 24-vjeçar nga Tivati i Malit të Zi: "Doja të shihja vetë çfarë është Kosova, jo vetëm të dëgjoja histori.”Fotografi: Vjosa Cerkini/DW

Hera e parë në Prishtinë

Për disa kjo ishte edhe një përvoja e parë me Kosovën. "Kurrë nuk kisha qenë në Prishtinë,” tha Matej Knezovic, 24-vjeçar nga Tivati i Malit të Zi. "Doja të shihja vetë çfarë është Kosova, jo vetëm të dëgjoja histori.”

Sipërmarrësi 26-vjeçar Amer Begovic, nga Sarajeva, u fokusua tek tema e ekonomisë: "Problemet tona janë të ngjashme. Nëse duam të qëndrojmë në Ballkan, na duhet një e ardhme ekonomike e fortë, vende pune, më pak papunësi dhe mundësi për të hapur biznese.”

Amer Begovic, nga Sarajeva, dhe Lendi Hodaj  nga Tetova në Forumin Rinor i Procesit të Berlinit
Sipërmarrësi 26-vjeçar Amer Begovic, nga Sarajeva, dhe Lendi Hodaj nga TetovaFotografi: Vjosa Cerkini/DW

Edhe të rinjtë nga Maqedonia e Veriut sollën mesazhin e tyre. "Ne nuk i kemi përjetuar luftërat e '90-ës, por duhet të përballemi me të kaluarën,” tha Lendi Hodaj nga Tetova. "Qeveritë duhet t'u besojnë më shumë të rinjve.”

Eni Isakaj, nga Tirana, pjesëmarrëse në Forum
Eni Isakaj: "Kosova është vendi i duhur për këtë forum, sepse këtu burojnë ide dhe talente. Ishte frymëzuese të shihje se problemet tona janë ndryshe, por njëkohësisht shumë të ngjashme.”Fotografi: Vjosa Cerkini/DW

Eni Isakaj, nga Tirana, theksoi energjinë e Kosovës: "Kosova është vendi i duhur për këtë forum, sepse këtu burojnë ide dhe talente. Ishte frymëzuese të shihje se problemet tona janë ndryshe, por njëkohësisht shumë të ngjashme.”

Nga diskutimet e të rinjve tek politikëbërja

Pjesëmarrësit nga diaspora sollën një dimension tjetër. "Është shumë bukur të lidhesh me boshnjakë, serbë, shqiptarë, të kuptosh se i përkasim njëri-tjetrit,” tha Filip Pilic nga Mynihu, me origjinë nga Bosnja e Hercegovina. "Qëllimi është të prezantojmë konkluzionet tona në Londër, për t'u dëgjuar nga liderët.”

Gorgo Zviovic nga zyra e RYCO-s në Beograd
Gorgo Zviovic nga zyra e RYCO-s në Beograd: "Rekomandimet do të prezantohen në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit në Londër.”Fotografi: Vjosa Cerkini/DW

Organizatorët e forumit e shohin këtë si një hap të madh drejt përfshirjes së të rinjve nga Ballkani Perëndimor në vendimmarrje. "Qëllimi i këtij eventi është t'u japë hapësirë të rinjve për të qenë pjesë e procesit politik,” shpjegoi Gorgo Zviovic nga zyra e RYCO-s në Beograd. "Rekomandimet do të prezantohen në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit në Londër.”

Forumi Rinor i Prishtinës tregoi se ndërsa politikanët shpesh ngecin në marrëveshje, të rinjtë e Ballkanit dinë të gjejnë gjuhë të përbashkët. Ata janë të gatshëm të kapërcejnë ndasitë historike dhe të punojnë për paqe, siguri dhe zhvillim ekonomik.

Portret në sfond të bardhë: Vjosa Çerkini me flokë të gjata të zeza dhe një xhaketë me kuadrata të vegjël.
Vjosa Çerkini reportere, autore nga Evropa Juglindore